A i është bërë presion Prokurorit të Përgjithshëm? Si përgjigjet Olsian Çela
Olsian Çela, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme, deklaron se nuk ka qenë aspak e lehtë detyra në krye të institucionit të akuzës, gjatë kohës së pandemisë.

I pyetur nëse ka pasur ndërhyrje apo presion në punë e tij në 9 muaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshëm, Çela tha se nuk ka pasur asnjë presion.

“Patjetër që jo. Sepse qasja që Prokurori i Përgjithshëm ka në raport me ligjin është që askush të mos tentojë që të ndërhyjë në punët e një organi të pavarur”, u shpreh ai.

Më tej ai shtoi se ka inkurajuar prokurorët që të kryejnë hetime të thelluara për të nxjerr përpara drejtësisë përgjegjësit për viktimat e 26 nëntorit.

“Hetimet kanë vijuar, një pjesë e tyre kanë përfunduar por është një numër shumë i lartë hetimesh që vijojnë kryesisht në Durrës dhe më pas mund të kalohet dhe në rekomandime për bazën ligjore”, tha kreu i akuzës gjatë një interviste për ‘Euronews Albania’.

Duke folur për reformën në drejtësi, kryeprokurori tha se elementi kyç i suksesit është pavarësia e prokurorëve dhe rritja e përgjegjshmërisë.

“Vijmë nga një kulturë hierarkike dhe e centralizuar. Është e vështirë të ndryshosh kulturën e punës dhe ndaj ishte e domosdoshme nxjerrja e akteve”, tha Çela.

I pyetur se kur do të ndodhë ndëshkimi i emrave të mëdhenj të krimit apo dhe ata politikës të përfolur për korrupsion, ai u përgjigj se për këtë duhet pyetur drejtuesi i SPAK.

“Për këtë duhet të pyesni zotin Arben Kraja kryetar i SPAK-ut,” u shpreh kryeprokurori Çela, i cili tha se është krijuar pavarësi institucionale në organin e akuzës.
Shtuar më 29/09/2020, ora 08:25

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori