Rama kujton fjalët e gjyshes

Kryeministri Edi Rama është shprehur se fqinjët nuk mund t’i zgjedhim, por sipas tij ata do të jenë aty.

Rama tha se këto fjalë ja kishte thënë gjyshja dhe sipas kryeministrit duhen harruar rrëmujrat e së shkuarës, duke ju referuar marrëdhënies së shqiptarëve me serbët.

Komentet Rama i ka bërë teksa ka qenë duke folur në Konferencën e 18-të të Kryetarëve të Parlamenteve të nismës Adriatiko-Joniane, ku u ndal mes të tjerash edhe tek marrëdhënia me vendet e rajonit.

“Fqinjët nuk i zgjedh. Gjyshja ime më tha, ‘komshiu i lumtur ,shtëpi e lumtur’. E kundërta është thjeshtë një makth. Ne jemi këtu për të qëndruar. Serbia nuk do të shkojë kurrkund, ashtu si dhe kroatët, malazezët. Të gjithë ne do të jemi këtu. Na duhet ta zgjidhim dhe të rritemi dhe të harrojmë të gjithë rrëmujën që kemi krijuar për njëri tjetrin. Të mos harrojmë sa shumë kanë përfituar të tjerët në kurrizin tonë, mbi shpatullat tona, për shkak të telasheve që kemi  hapur vetë. Sa e madhe është humbj për të investuar në urrejtje. Rruga është ende e gjatë për ne. Por sot jemi një vend më i mirë, krahasuar me ku ishim”, u shpreh kryeministri.

Nga ana tjetër, atë që po ndodh në Ukrainë, Rama e quajti si mësim të jashtëzakonshëm. Kreu i qeverisë vuri theksin te rruga e paqes.

“Ajo që po ndodh sot në Evropë, jo larg prej këtej, në Ukrainë është një mësim i jashtëzakonshëm. Të vazhdojmë të ecim në rrugën e paqes, për të shmangur rënien në kurthet e së shkuarës. Mësimi i kësaj lufte është i çmuar për të gjithë ne. Është një moment shumë i rëndësishëm për të gjithë historinë tonë.

Nga ana tjetër, është e rëndësishme që ta bëjmë këtë bashkëpunim në vlerë të shtuar. Nuk ka aspak dyshim se individualisht jemi më mirë sot seç ishim më parë, por së bashku ende po humbasim shumë nga potenciali ynë për ta bërë jetën shumë më të mirë”, u shpreh ai./albeu.com/