Pse OKB duhet t’ia heqë Rusisë vendin në Këshillin e Sigurimit

Nga Bernard-Henri Lévy “La Repubblica

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Një nga armët që zotëron Vladimir Putinit në luftën gjithëpërfshirëse që po zhvillon kundër Ukrainës, është statusi i Rusisë së anëtare e përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. E drejta e famshme e vetos që i ofron ky pozicion, e lejon Putinin të bllokojë çdo rezolutë që nuk i pëlqen, që është e pafavorshme apo që ndërhyn në interesat dhe krimet e tij.

Thuhet shpeshherë se ky absurditet monstruoz daton që nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore dhe nga vendimi për t’i rezervuar brenda OKB-së së sapokrijuar, statusin e anëtarit të përhershëm 5 fitimtarëve krysorë të luftës, përfshirë Bashkimin Sovjetik.

Megjithatë, ka edhe një ngjarje tjetër, më pak të lavdishme, për të cilën flitet më rrallë. Është ajo e datës 21 dhjetor 1991. Bashkimi Sovjetik ishte gati të shpërbëhej zyrtarisht. 11 nga 15 shtetet e reja që dalin nga shpërbërja dhe që tashmë janë të pavarura takohen në Alma-Ata (tani Almaty) në Kazakistan.

Ato ishin aty për të ndarë eshtrat e entitetit të vdekur, dhe për të përcaktuar se cili prej tyre do të marrë vendin e çmuar të anëtarit të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Përgjigja vjen pas disa orësh debati në formën e një letre të thjeshtë që Boris Yeltsin i drejtonte Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, ku në thelb thuhej: “Ne, kombet e lindura nga shpërbërja e ish-Perandorisë Sovjetike dhe që sot krijojmë një Komonuelth të Shteteve të Pavarura (CIS) kemi diskutuar dhe rënë dakord. Unë kam nderin t’ju informoj se Federata Ruse do të pasojë BRSS, do të trashëgojë selinë e saj në Kombet e Bashkuara dhe do të gëzojë të drejtat që lidhen me të”.

Marrësi i njoftimit mund të kishte vënë në dukje që nuk ka asnjë nen në Kartën e Kombeve të Bashkuara, që e lejon një grup shtetesh të kenë një seli të përhershme dhe ta bëjnë atë objekt të kush e di se çfarë negociate.

Dikush mund të kundërshtonte duke thënë se vetë koncepti i shtetit pasardhës (në Traktatin e Almatit: shtetit pasardhës) nuk shfaqet në asnjë tekst dhe për pasojë nuk ka asnjë vlerë juridike. Por në këtë rast mund të ishte vënë në dukje se nga pikëpamja juridike, asnjë nga 11 shtetet që morën atë vendim të njëanshëm, nuk ishte ende zyrtarisht anëtar i OKB-së dhe BRSS do të shpërbëhej zyrtarisht vetëm disa ditë më vonë.

Duke pasur parasysh risinë e situatës dhe mbi të gjitha atë që ishte në lojë (atë ditë u vendos gjithashtu, shumë kohë përpara Memorandumit të Budapestit, që armët bërthamore në territoret ish-sovjetike të vendoseshin nën kontrollin e Rusisë), kërkohej që të paktën kjo gjë të diskutohej në Asamblenë e Përgjithshme.

Në fakt nuk ndodhi asgjë nga këto. Njoftimi i Yeltsin dhe ndryshimi që ndodhi u ratifikuan pa asnjë diskutim. Një numër i madh vendesh anëtare mësuan vetëm nga mediat për këtë sjellje dinake të Rusisë.

Sado që është gërmuar nëpër arkiva, rezultati i kësaj sekuence të çuditshme ngjarjesh është se, dhënia Rusisë e statusit të anëtares të përhershme të Këshillit Sigurimit të OKB dhe si rrjedhim edhe atribuimi i së drejtës së vetos nuk janë shkruar askund.

Prandaj ato nuk kanë asnjë bazë ligjore dhe kurrëfarë legjitimiteti. Dhe Federata Ruse ka 30 vite që e ka terrorizuar botën duke shfrytëzuar të drejtën që ka përvetësuar në mënyrë të padrejtë. Nga këtu buron edhe ideja të cilën e përmenda shkurtimisht së bashku me ambasadorët e Francës dhe Ukrainës, dhe të cilën po e paraqes edhe në këtë artikull.

Unë i bëj thirrje Kombeve të Bashkuara që ta rihapin këtë çështje. Pra të rivlerësojnë komplotin mbi të cilin mbështetet rendi dhe kaosi bashkëkohor.

Dhe duke pasur parasysh qëndrueshmërinë me të cilën Federata Ruse, nga Bucha në Mariupol, duke kaluar tek dëbimi i fëmijëve ukrainas nga Donbasi, tallet me idealet themeluese të OKB-së, idealet të cilat një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit duhet më shumë se kushdo tjetër të jenë garant, unë ju ftoj që të rrëzoni pa asnjë keqardhje një të drejtë që Yelstin dhe Putin, e kanë përvetësuar pa pasur të drejtë.

Por çfarë do të ndodhte me paktin e vitit 1945 dhe trashëgiminë e “Luftës së Madhe Patriotike”? Epo, ne duhet të kujtojmë të drejtën e barabartë që kishin 11 liderët e mbledhur në Alma-Ata për të pretenduar trashëgiminë e Bashkimit Sovjetik.

Po ashtu mos harroni që fronti i parë i Ukrainës në të cilin siç e sugjeron emri, ushtarët ukrainas u përfaqësuan në masë, bëri më shumë sesa pjesën e tij në atë luftë. Dhe ishte pikërisht ai front që çliroi kampin e shfarosjes në Auschwitz.

Po ashtu, duhet të theksojmë se nëse ekziston një vend i ish-BRSS ku vlerat anti-naziste janë ringjallur pikërisht tani, ajo është Ukraina e Volodymyr Zelensky. Prandaj mund të arrijmë në përfundimin se në botën e re të pasluftës që po përgatitet të shfaqet para syve tanë, të drejtat e Rusisë së rënë mund dhe duhet t’i kthehen Ukrainës.

Hiqjani Federatës Ruse vendin e saj të përhershëm në OKB: këtë e kërkon ligji. Transferojani këtë të drejtë Ukrainës: këtë gjë e lejon kujtesa, e dëshiron morali dhe kjo mund të ta vendoset pas një debati të gjerë midis kombeve sovrane dhe të bashkuara. /albeu.com


Shtuar 1.06.2023 11:12

Tags: