Shpërthen Gent Zenelaj: Politikanët nuk i dinë hallet e njerëzve, bëjnë premtime boshe

Aktori Gentian Zenelaj është shprehur i revoltuar për premtimet e fushatës elektorale, të cilat i quan boshe.

I ftuar mbrëmjen e sotme në “Më lër të flas”, Zenelaj tha se fushata është degraduar me vetëm dy fjali, premtime për rritje pagash dhe tallava, por sipas tij, askush nuk i di hallet e vërteta të qytetarëve.

E kanë nisur me tramvajë me trena me helikopterë, aeroporte dhe sot fushata ka degraduar në pikën ku thuhen vetëm dy fjali. Vini re vini re, rritje rrogash dhe fut tallavanë. Nuk ekziston më fushatë elektorale fare. Nëse më përpara mund të premtohej një tramvajë jepej me projekt e shifra, sot ka vetëm dy fjali rritje rroge dhe fut tallavanë.

Është pak fyese ta trajtosh popullin si popull tallavajë. Populli nëse do ishte njeri, jeton 365 ditë të vitit jo vetëm ditët e fushatës. Këta politikanët shqiptarë jetojnë në flluskë, nuk e kanë idenë çfarë ndodh me popullin, si ja bëjnë qytetarët me këto rroga dhe pensione, japim premtime në ajër”– u shpreh aktori.


Shtuar 28.04.2023 22:52