7 ditët që do ta ndryshojnë Shqipërinë më 30 Qershor
Nga Alfred Peza

Kur ka mbetur vetëm një javë deri në zgjedhjet e 30 Qershorit, shumëkush mund ta kuptojë më mirë, se përse numri 7 bart një simbolikë të jashtëzakonshme.

Me këtë numër nuk lidhet vetëm fabula Biblike që nis me 6 ditët e punës, për të përfunduar në ditën e 7, kur Zoti e bëri pushim pasi krijoi botën tonë.

Me këtë numër nuk lidhen vetëm 7 notat muzikore, apo fakti se 7-ta rezulton të jetë numri më i preferuar i njerëzimit.

Me këtë numër nuk lidhen as vetëm 7 letrat që Kryeministri Edi Rama i dërgoi Kryetarit të PD Lulzim Basha, me lutjen për tu ulur në tryezën e dialogut politik pa kushte, para fillimit zyrtar të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale.

Me numrin 7 lidhet diçka më e madhe dhe më jetike se kaq.

Përpara nesh është ndoshta java më e rëndësishme e këtyre 30 viteve të postkomunizmit. Janë 7 ditët ku Shqipëria dhe shqiptarët, vendosen përpara provës më të madhe të lirisë. Eshtë prova e zgjedhjes: Mes të ardhmes së shtetformimit modern europian dhe të shkuarës së neotomanizmit “dumbabist”.

Të dielën e ardhshme shqiptarët duhet të zgjedhin mes dy alternativa:

1.- Të “qeverisen bazuar mbi një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike”, siç e përcakton Kushtetuta.

2.- Të sfidohen jashtë sistemit politik dhe demokratik të vendit, nga ultimatumet e rrugës të llojit: “Ose ikën Edi Rama, ose shkrihet opozita!”

Është vetëm në dorën e shqiptarëve: Ose ti lenë gjërat, kështu siç ato kanë qënë, në 6-7 muajt e fundit. Ose të gjejnë forcën e madhe për ta ndryshuar këtë realitet; me vullnetin e tyre, me urtësinë e tyre, me pushtetin e tyre dhe me votën e tyre në 30 Qershor!

Ja pse këto janë 7 ditët, që mund ta ndryshojnë Shqipërinë, njëherë e përgjithmonë.

A e bën dot?

Kjo është çështja!
Shtuar më 23/06/2019, ora 15:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori