500 mijë euro tender për kushëririn
Ferid Agani
Tenderin prej 500 mijë eurosh për asgjësim të ilaçeve me afat të skaduar, e ka fituar kompania e Shpend Aganit, djalit të axhës së Ministrit Ferid Agani. Kompania “KMI” është e regjistruar me vetëm dy punëtorë, me kapital 25 mijë euro dhe aktivitet kryesor ka riciklimin e metalit dhe skrapit.

Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ferid Agani, duket se ka qenë mjaft dorëlirë me Shpend Aganin, që është djali i axhës së kreut të këtij dikasteri. Agani ia ka dhënë Aganit tenderin për asgjësimin e ilaçeve me afat të skaduar. Vlera e tij është 500 mijë euro, shkruan gazeta Express.

Këtë tender, ministri i Shëndetësisë ia ka dhënë kompanisë “KMI sh.p.k” nga Drenasi, me pronar Arion Lleshin dhe Shpend Aganin.

Këtë gjë të vërtetë nuk e fshehin as zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë. Përkundrazi, ata krenohen se problemi më i madh pas luftës në sektorin farmaceutik për asgjësim ilaçesh të skaduara, më në fund po zgjidhet.

Por kush është kjo firmë dhe ku e si bëhet asgjësimi i këtyre ilaçeve?

Expressi e ka hulumtuar këtë çështje. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, ku janë të regjistruara bizneset, ekziston edhe kompania “KMI”, e cila katër muaj më parë ka fituar këtë tender. Numri i të punësuarve në dokument figuron se janë vetëm dy veta, kurse kapitali i tërë kompanisë, 25 mijë euro.

Aty shkruan se “KMI” kryesisht merret me shitjen me shumicë të pjesëve të rënda, pajisjeve hidraulike dhe furnizim pajisjesh për ngrohje. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2011, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori