5-vjetori i Pavarësisë së Kosovës festohet edhe në Tiranë
5-vjetori i Pavarësisë së Kosovës do të festohet edhe në Tiranë. Bashkia e Tiranës ka organizuar për nesër në sërë aktivitetesh kulturore ku këngëtarët më të mirë, grupet më të suksesshme do të performojnë nesër, në 5 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.


Të gjithë qytetarët e Tiranës që duan të festojnë nesër Pavarësinë e Kosovës do të kenë mundësi të shijojnë muzikën më të mirë të vendit dhe të huaj duke nisur nga ora 11.00 deri në orën 20.00 përgjatë rrugës “Murat Toptani”.
Drejtori i Drejtorisë së Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës, Arben Skënderi ka bërë të ditur sot axhendën e aktiviteteve dhe artistët pjesëmarrës.


“Pesë vjet më parë kombi shqiptar festonte Pavarësinë e Kosovës dhe ja, pesë vjet më pas, kjo datë e shënuar po afron. Nesër, data 17 është festa e të gjithë shqiptarëve e jo vetëm e Kosovës. Bashkia e Tiranës ka vendosur ta festojë dhe këtu, në një formë shumë të hareshme, shumë të gëzueshme. Festojmë të gjithë qytetarët, gjithë artëdashësit, me këngëtarët që siç e shikoni jemi sëbashku këtu! Gjatë gjithë ditës, që nga ora 11.00, tek rruga pedonale e deri në orët e para të mbrëmjes do të ketë aktivitete nga më të ndryshmet, një koncert madhështor me Juliana Pashën, Vedat Ademin, Valon Shehun, Marselën, me grupin NA dhe shumë të tjerë. Do të jetë cirku i Tiranës që do na dhurojë një spektakël të magjishëm e do të kemi shumë surpriza të tjera për qytetarët e Tiranës, në mënyrë që kjo festë të ndihet në mbarë trojet shqiptare. Sigurisht që festa nesër do të jetë e përqendruar në Kosovë. Bashkia e Tiranës, Tirana, kryeqyteti ynë që e ka mbështetur dhe gjithë ky komunitet këtu duhet që patjetër të vijë të festojë me ne! Nesër është një ditë e shënuar, ndaj kjo ditë duhet mbajtur mend dhe ne duhet të mblidhemi të gjithë, për ta festuar sa më hareshëm” u shpreh z. Skënderi. /albeu.com/
Shtuar më 16/02/2013, ora 13:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori