Ushtria serbe vendoset në kufi, Vuçiç: Kosova kërkon konflikt mes serbëve dhe NATO-s

Pas situatës së tensionuar dhe përplasjeve të protestuesve serbë me KFOR dhe Policinë e Kosovës në veri, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u shpreh se kryeministri i Kosovës Albin Kurti dëshiron të nxisë konflikt mes serbëve dhe NATO-s.

Ai u shpreh se dëshira e vetme e Kurtit është të krijojë konflikt në Kosovë.

“E kemi thënë që disa muaj më parë, Albin Kurti ka vetëm një dëshirë, që të shkaktojë konflikt në Kosovë. Megjithatë shumë pak njerëz deshën ta dëgjojnë të vërtetën. Në tre ditët e fundit, secili mund ta kuptojë se çfarë është përgatitur për sot. Gjithçka është organizuar nga Albin Kurti që të nxitet një konflikt mes serbëve dhe NATO-s, dhe ai është përgjegjësi i vetëm për këtë situatë. Ai dëshiron që të lajë duart dhe të thotë që kjo situatë nuk ka të bëjë me të”, ka thënë ai.

Mediat serbe raportojnë se presidenti Vuçiç pas deklaratës së tij për mediat do të zhvendoset në kufirin me Kosovën, ku sot është vendosur edhe ushtria serbe.

“Ne i dislokuam forcat tona në përputhje me situatën në vendet ku mendojmë se është e nevojshme. Sonte do të vizitojmë disa vende me ushtarët tanë. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen, por bashkësia ndërkombëtare duhet të arsyetojë me Albin Kurti”, tha ai./Albeu.com/.


Shtuar 29.05.2023 21:03