Pendarovski dhe Kovaçevski në Konferencën e 58-të të Sigurisë në Munih

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski dhe një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski do të marrin pjesë në Konferencën e 58-të të Sigurisë në Munih, që nga sot deri të dielën do të mbahet në Munih, Republika Federale e Gjermanisë.

Në konferencën, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë më shumë se 30 shefa të shteteve dhe qeverive, si dhe qindra ministra dhe shefa të organizatave ndërkombëtare relevante. Tema e edicionit të këtij viti është “Bashkëpunimi ndërkombëtar në kohë të krizave në rritje”, ndërsa është paralajmëruar edhe pjesëmarrje e përfaqësuesve më të lartë të organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare për çështjet e sigurisë.

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Munih, presidenti Pendarovski, siç informojnë nga Kabineti i tij, është paraparë që të realizojë shumë takime me disa pjesëmarrës të tubimit. Në fokus të bisedimeve do të jetë integrimi evropian dhe situatat e sigurisë në rajon dhe në hapësirën euro-atlantike.

Delegacioni qeveritar, i kryesuar nga Kovaçevski, e përbëjnë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiqi, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Ata gjatë punës treditore të konferencës, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë në shumë ngjarje qendrore dhe shoqëruese në kuadër të agjendës së konferencës, si dhe i më shumë takimeve të përbashkëta dhe të ndara.

Kovaçevski, siç është paralajmëruar, në kuadër të konferencës do të realizojë takime edhe me liderë të rajonit dhe përfaqësues të tjerë të lartë të shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, ndërsa të shtunën do të ketë edhe paraqitje në debatin për perspektivën e BE – Ballkani Perëndimor në temë “Mos dukeni të ndarë – vizatimi i shtegut për BE dhe Ballkanin Perëndimor” të cilin e organizon Këshilli Rajonal për Bashkëpunim (KRB)

Si pjesë e aktiviteteve të anëtarëve të delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska do të ketë paraqitje në panelin “Nata kushtuar inovacioneve”, ndërsa do të marrë pjesë edhe në sesionin “Bashkëbisedim me ministren e re gjermane të Mbrojtjes”. Petrovska do të marrë pjesë edhe në sesion kushtuar kontrollit të armatosjes, si dhe në panelin “Rusia, Ukraina dhe siguria në Evropë”, ndërsa do të realizojë edhe shumë takime me ministra të Mbrojtjes dhe autoritete ushtarake dhe në mbrojtje.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, siç është paralajmëruar, do të marrë pjesë në ngjarje të veçantë bashkë me të gjithë ministrat e punëve të jashtme të Ballkanit Perëndimor, në organizim të ministres së Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Analena Berbok. Osmani do të ketë fjalim edhe në ngjarjen “Vrima në zemër të Evropës? Prapa drejtë Ballkanit Perëndimor” dhe do të realizojë shumë takime me homologët e tij nga shtetet evropiane dhe jashtë Evropës./zhurnal