Fsheh kokën nën kapuç, momenti kur “Kobra” paraqitet në gjykatë (VIDEO)

Dibran Hoxhaj dhe pesë personat e tjerë janë paraqitur në Gjykatën Themelore të Prizrenit për caktimin e masës së sigurisë.

Ata, ditën e djeshme, janë ndaluar për 48 orë për rastin e vrasjes dhe plagosjes në Prizren.

Informacionin e ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.

Kallxo.com ka publikuar pamje kur Dibran Hoxhaj dhe të tjerët sillen në gjykatë. Kobra ka vendosur kapuçin e xhupit duke tentuar që të mos vërehet.

Pamjet e publikuara nga Kallxo.com:

Detaje për ngjarjen

Mediat në Kosovë raportuan se motiv i këtij konflikti dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurove që stafi i lokalit kishte lëshuar për dy të rinjtë. Sipas informacioneve paraprake, sherri nisi pasi të rinjtë nuk pranuan të paguanin këtë shumë të të hollave.

Ndërkohë, së fundmi, mediat në Kosovë kanë raportuar se të shtënat kanë filluar fillimisht në lokal ndërsa më pas tre të rinjtë janë larguar me makinë. Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar edhe tri gëzhoja.

“Është raportuar se, nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët që ishin shtetas të Shqipërisë janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur”, njoftoi Policia.


Shtuar 4.01.2023 11:23