E bujshme nga Napoli, “skifterët” vjedhin “këmbën” e Maradonës

Vjedhje e bujshme në Napoli. Pas fitores ndaj Sassuolos, gjatë natës dikush bëri që të zhdukej fotografia e këmbës së majtë të Diego Maradonës. E ekspozuar në Quartieri Spagnoli përballë murales gjigante të “Pibe de oro”, vepra është rezultat i një skanimi tredimensional të të majtës magjike të fenomenit të dikurshëm argjentinas. Një homazh i dhënë popullit napolitan nga miku dhe menaxheri historik i Diego-s, Stefano Ceci.

E vogël në përmasa, piktura u pozicionua në Via Emanuele de Deo, përballë mega pikturës së Maradonës të realizuar në vitin 1990 me rastin e fitores së dytë të Scudettos nga Napoli në fasadën e një ndërtese gjashtëkatëshe. Për momentin ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur, por vjedhja në qytet po bën shumë bujë. Mbi të gjitha sepse vepra konsiderohet si një relike historike për tifozët napolitan. Një lloj “relike” e futbollit për t’u nderuar.

Nuk dihet vlera e kësaj vepre, pasi Napoli nuk kishte ndërmend ta nxirrte në shitje, por me siguri shifrat kalojnë në miliona euro. Policia po punon për gjetjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.