21 janari, Garda "fsheh" vrasësit
Gjatë demonstratës së 21 janarit, Garda e Republikës ka filmuar vetëm persona që kanë qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë me gurë duke “fshehur” në këtë mënyrë vrasjet.

Filmimet e servirura në prokurori tregojnë pamjet e demonstruesve që hedhin gurë mbi policinë dhe prokurorinë, madje në disa pamje duken se kanë kaluar edhe rrethimin e Kryeministrisë.

Në asnjë sekuencë të filmimeve të bëra, nuk duken gardistët që qëllojnë me armë zjarri në drejtim të turmës, ku mbetën të vrarë katër persona dhe dhjetëra të tjerë u plagosën me armë zjarri.

Burime nga Prokuroria e Tiranës thanë se Garda e Republikës i ka servirur pamjet prokurorisë 40 ditë pas ngjarjes.

Përpos kësaj, filmimet e kryera në vende të ndryshme duket se janë censuruar më parë nga stafi i Gardës, duke dërguar në prokurori vetëm ato filmime që nuk i implikojnë.

Grupi hetimor deklaron se i ka kërkuar Gardës pamjet e regjistruara më 21 janar, të cilat përfshijnë planin e masave dhe mbarëvajtjen më pas të protestës.

Megjithatë, nga verifikimet paraprake ka rezultuar se pamjet filmike nuk tregojnë “vrasësit” e gardistëve, por disa persona që qëllojnë me sende të forta.

Akuza thotë se ka kërkuar bashkëpunimin edhe të Këshillit të Ministrave dhe të Policisë së Shtetit, pasi edhe këto institucione disponojnë filmime të 21 janarit.

Sistemi i kamerave i instaluar te Kryeministria dhe kameramanët e policisë dyshohet se kanë fiksuar të dhëna të dobishme të hetimit, megjithatë akuza thotë se nuk disponon pamje të tilla.

I vetmi bashkëpunim është me Gardën, e cila ka dërguar në prokurori vetëm pamje të censuruara, të cilat nuk hedhin dritë mbi asnjë plan masash apo veprimesh më 21 janar.

Akuza dyshon se Garda e Republikës ka “fshehur” në këtë mënyrë vrasësit, megjithatë deklaron se pret edhe bashkëpunimin e institucioneve të tjera për të zbardhur dhe hetuar një nga ngjarjet më sensitive të opinionit publik.

Pas ekspertizave të armëve, gëzhojave dhe predhave të gjetura në vendngjarje, tashmë hetimet po kryhen duke analizuar pamjet filmike të demonstratës së 21 janarit.

Akuza thotë se ka kryer disa kërkesa në institucione që ka dyshime se mund të kishin filmuar demonstratën. Pasi u sekuestruan pamjet e televizioneve private, grupi hetimor i kërkoi pamjet edhe policisë dhe Gardës.

Kjo e fundit pranoi të bashkëpunojë, megjithëse dërgoi materiale të cunguara, ndërsa policia ende nuk i ka servirur pamjet. Hetuesit i janë drejtuar me një kërkesë edhe bankave private që operojnë në atë zonë, ndërsa po marrin verifikime nëse ngjarja e 21 janarit është vëzhguar nga ajri, nëpërmjet pamjeve satelitore.

Megjithëse janë kërkuar të gjitha pamjet filmike të institucioneve shtetërore dhe private, të vetmet që hedhin dritë se Garda ka qëlluar në drejtim të demonstruesve janë pamjet filmike të televizioneve private.

Në to duken qartë se Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit kanë qëlluar ndaj demonstruesve me armë zjarri. Pamjet e sekuestruara të transmetuara në disa televizione private kombëtare duket qartë flaka nga qitja e një ushtari brenda territorit të Kryeministrisë.

Thuajse në mënyrë të njëkohshme, shtetasi Ziver Veizi rrëzohet. Gjithçka ka ndodhur në hyrjen e majtë të Kryeministrisë, atje ku ishte përqendruar një pjesë e mirë e policisë dhe demonstruesve, ndërsa në një foto duket edhe “atentatori”, që mban veshur një uniformë garde, i cili më pas u arrestua dhe ishte gardisti Agim Llupo.

Viktima ishte në këmbë me fushëpamje nga godina e Kryeministrisë, brenda të cilës qëndronin forca speciale të policisë dhe punonjës të Gardës. Pamjet e dyta të sekuestruara nga prokuroria janë në afërsi të lulishtes së Piramidës.

Fotot e realizuara kanë marrë imazhe sesi Hekuran Deda është shembur në tokë. Edhe në këtë ngjarje dyshohet se qitja është realizuar nga ambientet brenda Kryeministrisë. Viktimat dhe të plagosurit nuk kanë qenë brenda rrethimit të Kryeministrisë, por jashtë saj.
Shtuar më 02/03/2011, ora 13:15

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori