21 janari dhe Presidenti, KiE në Tiranë
Mos përfundimi në kohë i reformës zgjedhore e parlamentare, lufta ndaj korrupsionit, debati për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit sjellin në Shqipëri për një vizitë 2-ditore faktmbledhëse dy bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës Tomas Jirsa nga Çekia dhe Grigore Petrenco nga Moldavia. Axhenda e bashkëraporterëve nis ditën e sotme dhe mbyllet në datën 4 prill, pasi ata të jenë takuar me Presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, përfaqësues të partive politike, Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Prokuroren e Përgjithshme.

Sipas një njoftimi për shtyp të zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri disktutimet do të zhvillohen me fokus kryesor reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Sa i përket refomrës zgjedhore, komisioni ka hedhur hapa përpara duke rënë dakord për çështje thelbësore siç është numërimi elektronik i votave, por tashmë çështja më e nxehtë për diskutim mbetet formulimi i KQZ, për të cilën bashkëraportuesit do të kenë mundësi të marrin vetë opinionin e këtij institucioni.

Por një tjetër panoramë do të kenë bashkëraportuesit për punën e komisonit të reformës parlamentare ku pavarësisht se 1 prilli shënoi edhe përfundimin e mandatit, PD e PS nuk kanë gjetur kompromis për çështje kryesore që lidhen me votën e fshehtë dhe kohën që duhet të mbajnë anëtarët e qeverisë në kuvend.

Bashkëraportuesit do të njihen dhe me qëndrimin e palëve sa i përket zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, në kohën kur PD e PS nuk janë shprehur ende për një emër që mund të çonte në votim konsensual. Deri tani, opozita është shprehur kategorikisht kundër një kandidimi të Jozefina Topallit, që sipas kryesocialistit Edi Rama do ti mbyllte rrugën çdo dakordësie me mazhorancën.

Por ajo çka binte në sy në axhendën e bashkëraportuesve ishin diskutimet që lidhen me hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, çështje për të cilën do të ketë edhe një takim të posaçëm me kryeprokuroren Ina Rama. /albeu.com/
Shtuar më 02/04/2012, ora 09:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori