20 mijë euro shpërblim për kapjen e autorit të atentatit në Elbasan
Dy kamera sigurie biznesesh kanë bërë të mundur regjistrimin e pamjeve të autorit të atentatit të ditës së djeshme në Elbasan, i cili pasi qëlloi me kallashnikov në drejtim të makinës së Florenc Çapjes dhe Bledar Muçës, u largua nga vendngjarja. Policia ka ofruar 20 mijë euro për çdo person që jep informacion për atentatorin.

"Policia e Elbasanit është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet e saj, duke angazhuar specialistët dhe ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen e ndodhur dje në lagjen “5 Maj”, në rrugën “28 Nëntori” në Elbasan.

Një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Volkswagen “Golf”, me targa AA 997 NE, duke plagosur brenda tij shtetasin B.M., 37 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu si pasojë është plagosur dhe shtetasja M.K., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë punonjëse e policisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila ka qenë duke kaluar rastësisht pranë vendit të ngjarjes.

Të dy shtetasit u dërguan menjëherë në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Elbasanit kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, vë në dispozicion shumën prej 20.000 Euro për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.

Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë informacion të saktë në numrat e cel 0694110853 dhe 0694100003 dhe në numrin pa pagesë 129", thuhet me tej ne deklaraten per media. /albeu.com/
Shtuar më 07/06/2016, ora 15:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori