Zjarri i shkurreve i rrezikon jetën 67-vjeçarit në Durrës, digjet në duar dhe kraharor

Një 67-vjeçar ka mbetur i lënduar pasi ka pësuar djegie në pjesë të trupit, teksa ka djegur disa shkurre, por zjarri i ka dalë jashtë kontrollit.

Ai është dërguar në spital, ndërsa nga zjarri rrezikohen dhe banesat.

Policia ka shoqëruar një 60-vjeçar, i cili kishte punësuar 67-vjeçarin, për të pastruar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 11:50, në lagjen nr. 10, Durrës, shtetasi Sh. D., 67 vjeç, duke pastruar afër një banese, i ka vënë zjarrin disa shkurreve, zjarri ka rrezikuar dhe banesat për rreth dhe si pasojë e përhapjes së flakëve ky shtetas ka pësuar djegie në duar dhe në kraharor.

Aktualisht ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Shërbimet e Policisë dhe shërbimet MZSH shkuan në vendngjarje dhe bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Është shoqëruar në Komisariatin e Durrësit, pronari i banesës, shtetasi A. K., 60 vjeç, i cili kishte punësuar 67-vjeçarin, për të pastruar.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.


Shtuar 23.07.2023 13:22