Provimi i biologjisë/ Maturantët kërcënojnë me jetë mësuesen e testit në TikTok: Le ta vrasim

Supriza e pakëndshme për maturantët këtë vit nuk ishte as testi i letërsisë, as i matematikës, por i lëndës me zgjedhje.

Kur u duk se sezoni i provimeve po mbyllej me sukses, gjimnazistët shprehen të kapur në pabesi me provimin e fundit. Një ditë pas testimit, gjimnazistët që kishin zgjedhur të testoheshin në biologji me synimin për të fituar mjekësinë, u mblodhën përpara ministrisë së arsimit të shqetësuar për të ardhmen e tyre duke kërkuar ndryshimin e tezës.

Ky provim i është kthyer në makth për hartuesen e testit të biologjisë. Fotoja e saj me emrin dhe mbiemrin e pozicionin është shpërndarë në rrjete sociale, Tiktok me thirrjet ‘Le ta vrasim’.

Çfarë ka ndodhur me testin e Biologjisë

Në përfundim të gjitha provimeve të Maturës, nxënësit kanë shfaqur kritika për mënyrën sesi është hartuar teza e Biologjisë, lëndës me zgjedhje. Ata janë shprehur se kjo tezë ka përmbajtur shume pyetje të vështira dhe nuk janë hartuar sipas një vije logjike.

Ministria e Arsimit ka reaguar duke sqaruar se do të merren të gjitha masat e nevojshme ndërkohë që ka publikuar edhe skemën e vlerësimit.

Korrigjimet e testeve do të bëhen brenda një kohe të shkurtër për t’i dhënë mundësinë edhe maturantëve që duan të studiojnë jashtë të kenë diplomat në duar, ditët e para të korrikut.