1 vit nga tërmeti, me qindra familje vazhdojnë të jetojnë në çadra
Edhe pse ka kaluar një vit nga tërmeti, qindra familje ende jetojnë në çadra, ndërsa problemi i tyre s'ka gjetur një zgjidhje. Dimri dhe pandemia e COVID-19 ka shtuar vështirësitë për këto familje, të cilat prej 12 muajsh u bëjnë thirrje institucioneve për një zgjidhje.

“Gjithmonë kur bie tërmet frikësohem shumë”, “Tmerr akoma me atë panik jetojmë”, “Kisha frikë” , “E paimagjinueshme”, kështu u shprehën banorët.

Pasi arritën të shpëtonin nga rrënojat, për shumë prej të mbijetuarve filloi një kalvar vuajtjesh.

“Mes dy jetimëve mes 4 rrugëve, kam fjetur rrugëve 1 javë, derisa komuna e Reshbullit më solli një çadër. Çadra çfarë binte jashtë binte brenda. Janë çadra verore”, tha një banore.

26 nëntori i këtij viti shumë prej atyre që ju shembën shtëpitë, i gjeti pa një strehë të sigurt mbi kokë.

“Që kur ra tërmeti dhe këtej ne po flemë në çadër”, tha një banor.

“Po presim, u bë një vit dhe deri më tani asgjë”, tha një tjetër.

Shtëpia e vjetër e familjes Balani në Thumanë, pësoi dëme të rënda dhe pas verifikimit të parë u shpall e pabanueshme.

Por megjithëse në këtë gjendje, një vlerësim i dytë i shtëpisë e ndryshoi vlerësimin e parë.

“Kjo është në shembje , mos rrini në të sepse nuk jetohet. Erdhën e pamë , e ka nxejrrë DS2, ata të komunës së Thumanës’, Dhurata Balani.

Pjesëtarët e familjes Balani, e kaluan dimrin e shkuar në çadër.

“Me sakrifica e kemi përballuar, për Zotin, me ngrohëse, çfarë të bënim”, tregoi e moshuara e familjes Balani.

“Çfarë të them unë, më vështirë s’ka”, tha Dhuarata Balani.

“Në nuk e dimë ne aty do ta kalojmë dimrin, por nuk na i ndërtuan shtëpinë”, tha ajo më tej.

Kur ka kaluar plot një vit nga tërmeti, Dhurata ende nuk e di se ç’do të ndodhë me shtëpinë e saj.

“Nuk ka besim më, se edhe para dy vjetësh që ra, shkuan tek pallatet, thanë që pallatet janë të pabanueshme. Motra ime më të gjithë të tjerët, motra me gjithë djalin, 26 veta kanë ikur prej Thuamane. Për çfarë, se shkuan i panë dhe i thanë që janë të banueshme. Të paktën të vijën të thonë janë të banueshme, të japin vulën dhe të mbajnë përgjegjësi mbrapa”, u shpreh e nervozuar Dhuarata Balani.

Edhe në Prezë është e njëjta situatë, askush nuk e di se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e dëmtuara

“Po presim, kemi një vit që po presim, deri më tani asgjë nuk është bërë. Kemi shkruar me qira aty poshtë, të çadra”, tregoi një banore.

E pabanueshme u shpall edhe shtëpia e Shpresa Gucit në Durrës, por rindërtimi ende nuk ka nisur. Prej një viti ajo dhe 2 mbesat e vogla jetojnë në çadër.

“Ne inxhinierët që erdhën këtu inxhinierët na nxorën të pabanueshme, kur shkoj unë për të marrë letrat që na lajmëruan, shikoj dosjet DS2. Ore ju po talleni me ne, apo si është puna? Do aplikoni pak tha ai administratori. Mora dhe komshien ikëm dhe aplikuam prapë, na kanë hequr DS2. Do vijnë institut na Tirana. Jo po e ka zënë korona është në spital. Këto përgjigje marrim ne”, tha Guci.

Më e vështirë kjo situatë është për fëmijët. Megi Zotka gjatë kësaj kohë nuk ka pasur mundësi të bëjë mësim online, pasi jetesa në çadër nuk ja ofron kushtet e nevojshme për këtë gjë. Kur dimri i dytë po afrohet, ajo ka vetëm një kërkesë.

“Unë kërkoj një shtëpi, ftohtë është, dimri erdhi nuk kemi asnjë kusht, edhe një tavolinë ku të bëj detyrat. Nuk kam ku t’i bëj detyrat”, tha Megi Zotka.

Luan Braçi thotë se ka shkuar disa herë në bashki por nuk ka mundur të takojë dot asnjë zyrtar të këtij institucioni, për t'i shpjeguar hallin që ka.

“Dyert e bashkisë janë të mbyllura për ne, ku shkojmë në bashki nuk na lënë të futemi, se dalin ato rojet aty, s’ka njeri, s’ka njeri, sikur bashkia nuk ka asnjë njeri, nuk pret më. Nuk na lenë, ku do të shkojmë, ku do të përplasemi. Shiko si është myku nga lagështia. Gjithë myk është, këtu flemë. Do të vdesë nesër patjetër, s’kanë ku të na qajnë, ku do të vijnë njerëzit të na qajnë”, tha Luan Braçi.

Por edhe aty ku rindërtimi ka nisur, qytetarët shprehen se po ecën me ritme shumë të ngadalta.

Shtëpia e Sulejman Gjokës në fshatin Kameras u shpall e pabanueshme që pas tërmetit të 21 shtatorit, por ka kaluar më shumë se një vit dhe ai ende pret rindërtimin.

“Kjo shtëpia ime, është shembur më 21 shtator dhe i dyti është 26 nëntor. Asnjë nuk ka çarë kokën të vijë këtu tek unë. Kanë ardhur këtu, kanë bërë gjoja këtë”, tha Gjoka.

Megjithatë nga njësia Administrative Manëz, shprehen se procedura e tenderimit ka përfunduar, dhe tashmë është firma e ndërtimit ajo që po ndjek strategjinë e saj në ndërtimin e banesave individuale. /Euronews/

Shtuar më 26/11/2020, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori