Ristani: Byroja e Hetimit, "kamzhiku” i Ramës e Metës
Pëlqej
Nga selia e PD-së, deputeti Arben Ristani ka denoncuar sot Byronë Kombëtare të Hetimit, votuar dy ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, si një instrument antikushtetues në duart e kryeministrit për të kontrolluar pushtetet e pavarura.

Ai e konsideroi Byronë si “kamzhik apo këmishë force për rivalët e pushtetit” dhe deklaroi se PD-ja do të ndjekë tërë rrugët e nevojshme ligjore, për të mos lejuar instalimin e oligarkisë me këto mjete, në një vend ku demokracia po vihen në rrezik.

“Arroganca për të kontrolluar drejtësinë, i hapi rugën nënshtrimit të gjyqësorit, kontrollit të KLD-së dhe spostimit të prokurorit.

Dyshja Rama-Meta krijoi një prokurori paralele, duke miratuar të ashtequajturën Byro Kombëtare të Hetimit, një instrument që është një tjetër hap i kryeministrit, për të kontrolluar pushtetet e pavarura.

Edhe aty ku kapja nuk mund të bëhet drejtpërdrejt si në rastin e Prokurorit të Përgjithshëm, krijuan një strukturë paralele, tërësisht nën urdhrat e ekzekutivit.

Byroja Kombëtare e Hetimit është një sajesë antikushtetuese, që oligarkia do ta përdorë si kamzhik, apo këmishë force për rivalët e saj dhe kundërshtarët e saj politikë dhe kudo.

Sipas Kushtetutës sonë, hetimet në këtë vend ende demokratik, por tërësisht në rrezik, drejtohen e zhvillohen vetëm nga Prokuroria, ndërkohë që oligarku megalloman do të jetë ai që edhe heton, edhe gjykon, edhe bën ligjet.

Byroja e Hetimit është sot një rilindje e Byrosë famëkeqe që kontrollonte gjithçka dhe ku liritë e njeriut, nuk ekzistonin,” u shpreh ai. /albeu.com/
Shtuar më 02/08/2014, ora 11:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori