Berisha: Rama-Meta po krijojnë monopolin e universiteteve
Pëlqej
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish kryeministri Sali Berisha bën me dije se është në favor të qëndrimeve të rrepta ligjore dhe ndëshkimit ndaj çdo abuzimi në fushën e arsimit të lartë. Por sipas tij, të godasësh në një ditë të vetme 31 institucione të arsimit të lartë, dëshmon se po vepron kryekëput në menyrë korruptive.

"Pas krijimit të firmave të ndërtimit, Rama - Meta krijojnë dhe universitet e tyre private! Të dashur miq, këto ditë në kuadrin e pseudo reformës në arsimin e lartë, me një komision terësisht anonim, mbi bazën e një raporti të ketij komisioni të hartuar në mungesë absolute të transparencës, Edvin Kristaq Rama mbylli me një të rënë të lapsit 29 shkolla të larta dhe dy universitete private, në të cilat studionin mbi 7500 studentë dhe ishin bërë në infrastrukturë mbi 200 milionë dollarë investime, pa llogaritur këtu dhjetëra milion dollarë të familjeve të studentëve. Dua të sqaroj që në fillim se jam në favor të qëndrimeve të rrepta ligjore dhe ndëshkimit ndaj çdo abuzimi në fushën e arsimit të lartë, sikundër jam i sigurtë se abuzime të papranueshme ka patur, ka dhe do ketë si në universitetet private ashtu dhe në ato shtetërore dhe ato duhet ndëshkuar.

Them do ketë sepse mjerisht raste abuzimi me diploma dhe doktorata njoftohen edhe në vendet më të zhvilluara. Për Shqiperinë, zbatimi i ligjit në fushën e arsimit duhet të jetë parësore. Por të godasësh në një dite të vetme 31 institucione të arsimit të lartë, shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, disa prej të cilave ndër më seriozet, duke mos paraqitur publikisht asnjë fakt për shkelje ligji nga ana e tyre, dëshmon qartë se po vepron kryekëput në menyrë korruptive dhe vetëm korruptive, njëlloj si me liçensat e hidrocentraleve që i heq për t'i dhënë me rryshfet nga e para.

Në praktikën botërore, rruga e vlerësimit të performancës së universiteteve dhe heqjes së liçensave është rating-u nga kompani të pavarura. Shqipëria 3 vjet më parë realizoi rating-un e parë. Rama premtoi se do ta bënte atë që vitin e parë, por babëzia e detyroi të zëvendesojë rating-un me kleringun, fund e krye korruptiv. Rama - Meta dhe qeveritarët e tyre, njëlloj siç kanë e krijuar kompanitë e ndërtimit për punët publike apo siç bllokuan lojërat e fatit për t'ua dhënë familjarëve dhe sojit të vetë, po krijojnë tani universitetet e veta private. E them këtë jo vetëm bazuar në ato që rëndom po flitet për punen e komisionit por para së gjithash bazuar në:

- Së pari, vendimin e Ramës për të ulur kuotat për 11 mijë vetë në universitetet publike. Theksoj këtu se 8 vite në pushtet universitetet private kanë bërë presion për uljen e kuotave në universitetet publike natyrisht në interes te tyre. Por ndonëse kanë patur mbështetjen e pakursyer të qeverisë, me heqjen e TVSH, miratimin e ligjit "tokë për shkollë" etj, kjo kërkesë nuk është pranuar asnjeherë.

Së dyti, mbyllja në një ditë te 31 shkollave të arsimit të lartë, nxjerrja në rrugë e 7800 studentëve është hapje e hapësires për simotrat ku qeveritarët kanë vendosur aksionet e tyre dhe liçensimin dora dorës të universiteteve të tyre.
- Së treti, vetë zëdhënësja e Ramës për arsimin Nikolla deklaroi publikisht se Ministria do rregullojë në universitetet publike dhe private studentët që ju mbyllen shkollat. Natyrisht qeveria mund të regulloj në universitete publike, por me sa duket ka arritur një marreveshje korruptive me universitete private ku Rama - Meta kane aksione për të dërguar studentët e universiteteve të cilat u mbyllën pa paraqitur as dhe një arsye të vetme ligjore.

Ju bëj thirrje të rinjve shqiptarë të ngrihen në protesta të fuqishme kundër klikës Rama - Meta që po shkatërron të ardhmen e tyre", përfundon Berisha. /albeu.com/
Shtuar më 07/08/2014, ora 15:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori