Zyrtari i akuzuar i ART-së flet për papagaj në gjykatë
Në gjykimin e zyrtarëve të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit (ART), Ekrem Hoxha e Lulzim Kurtaj, sot është dhënë fjala përfundimtare.

Hoxha e Kurtaj po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme më së shumti fjalë për të thënë kishte i akuzuari Lulzim Kurtaj.

Duke aluduar në Prokurori, Kurtaj fillimisht foli se si flet një papagall.

“A e din qysh po më duket? Si papagalli kur folë… Ka shumë qenie në planetin tokë që flasin diçka por nuk e dijnë çka thojnë. Mendimi im personal është se një prej rrugëtimeve të njeriut është që në jetë me tejkalu papagallin në vete”, tha Kurtaj.

“Unë si qytetar i Republikës së Kosovës dhe zyrtar i lartë i shtetit, njëherë në MTI dhe pastaj në ART, e vlerësoj që në qoftë se nëse në këtë mënyrë i qasen akuzës ndaj zyrtarëve, krijohen barriera absolute në zhvillim të shoqërisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, avokati mbrojtës i Ekrem Hoxhës, Florent Latifaj, deklaroi se pas administrimit të të gjitha provave është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer punën e tyre konform ligjit dhe në asnjë moment nuk e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Ai më tej deklaroi se i vetmi gabim i tyre është moslajmërimi i veprimeve të Avdi Ferrit, i cili sipas tyre ka kryer veprime të kundërligjshme, por që i ka denoncuar i pari.

Po ashtu, Latifaj kërkoi të dijë se cilat kanë qenë veprimet e kundërligjshme të të mbrojturit të tij, duke shtuar se kërkon që i njëjti të lirohet nga akuza.

Ndërkaq, avokati i Kurtajt, Ali Beka, tha se në këtë çështje penale është luajtur “ping- pong” dhe se kjo aktakuzë mund të shërbejë si një shembull i keq se si mund të ngritet një e tillë “pa prova”.

“Nëse i shihni të gjitha shkresat e lëndës kjo çështje penale është filluar me një paraqitje të Avdi Ferrit dhe fillimisht Prokuroria Speciale në drejtim të veprës penale ushtrim i ndikimit, kur s’ka pasë ushtrim të ndikimit atëherë ka shkuar në falsifikim në këtë çështje penale është luajtur ping- pong”, tha Beka.

Ndryshe nga ta, prokurori i çështjes Arian Gashi, në fjalën përfundimtare theksoi se provat e administruara gjatë seancave gjyqësore mbështetin tezën e akuzës.

Në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 24 prill, do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, të pandehurit ngarkohen për keqpërdorimin e detyrës zyrtare me rastin e përzgjedhjes së operatorit ekonomik në tenderin “Qendra Nacionale e Monitorimit të Radiospektrit”,

Në aktakuzë thuhet se përkundër faktit që ky tender ishte kthyer në rivlerësim dhe ART-ja ishte gjobitur në vlerë prej 30.000.00 euro për shkak të shkeljeve të Ligjit të Prokurimit Publik nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), të pandehurit nuk e kishin përfillur vendimin e OShP-së dhe përsëri e kishin shpallur fitues të këtij tenderi operatorin e njëjtë ekonomik./Kallxo.com
Shtuar më 19/04/2018, ora 20:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori