Zyrtarët turq shajnë shkollat e Gylenit, acarohet Nikolla: Deklarata palidhje! (VIDEO)
Zyrtarë të ambasadës turke dhe agjencisë TIKA kanë shfrytëzuar një aktivitet me studentët e Universitetit të Tiranës për të folur në lidhje me një problem të brendshëm të Turqisë ndërkohë që ka përbaltur sistemin arsimor shqiptar, gjë e cila ka acaruar jo pak ministren e Arsimit, Lindita Nikolla.

Gjatë fjalës së tij, kreu i TIKA-s, Umit Yavuz Umutlu e ka parë të arsyeshme t'u flasë studentëve të UT-së për shkollat e frymëzuara nga Fethullah Gylen, për të cilat tha se "nxjerrin breza me zemër dhe mendje të manipuluar"

Kaq ka mjaftuar që Nikolla të acarohet dhe t'i tërheqë vëmendjen në tavolinë ambasadorit turk në Tiranë, Bayraktar, fakt të cilin e theksoi edhe pas aktivitetit.

"Ai dha një mendim të tijin personal për një realitet që nuk ekziston në Shqipëri. Ajo që dua të them është se jo vetëm i reagova ambasadorit turk, por ajo që dua të ndaj me publikun dhe prindërit është fakti se nuk ka shkollë në Shqipëri që nuk ofron arsim brenda parametrave dhe standardeve të shtetit shqiptar. Këto shkolla janë të garantuara nga pikëpamja ligjore dhe nga të gjitha pikëpamjet e tjera. Le të mbetet thjesht një dëshirë e një individi për të thënë diçka më tepër jashtë vendit dhe kohës në një mjedis që nuk kishte lidhje me gjithçka që ai shprehu. Reagimin e mori zyrtarisht ambasadori"., - tha Nikolla duke rrëzuar kështu çdo pretendim të përfaqësuesit të ambasadës dhe agjencisë TIKA. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2017, ora 19:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori