Zyrtarë të Komunës së Prizrenit nën hetim
Pëlqej
Qeveria e Ramadan Mujës në Prizren nuk po mund të funksionojë pa përfshirjen në keqpërdorime dhe për pasojë hetimeve nga organet e drejtësisë. Keqpërdorimi i detyrës zyrtare duket se është bërë pjesë e punës e kësaj qeverie, e cila tashmë po përballet me një sërë procesesh gjyqësore.

Listës së gjatë të keqpërdoruesve të detyrës zyrtare të “Qeverisë Muja”, i janë shtuar edhe disa zyrtarë të Drejtorisë së Kulturës. Ata dyshohen se vitin e kaluar kanë keqpërdorë detyrën zyrtare gjatë organizimit të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”.
Burimet e sigurta të “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se zyrtarët e Drejtorisë së Kulturës, dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare në financimin e “Zambakut…”.


“Përveç zyrtarëve të Drejtorisë së Kulturës, janë duke u hetuar edhe disa nga organizatorët e Festivalit”, tregon burimi.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadria, ka konfirmuar për “PrizrenPress” se Policia ka zhvilluar hetime ndaj disa zyrtarëve të Komunës së Prizrenit për Festivalin “Zambakut të Prizrenit”.
“Policia e Kosovës ka hetuar këtë rast dhe e ka dërguar në Prokurorinë Themelore në Prizren”, konfirmon Sadria.
Ai ka bërë të ditur se rasti i “Zambakut të Prizrenit” është dërguar në Prokurori në korrik të këtij viti.

”Rastin e kemi dërguar në prokurori saktësisht me 4.7.2014-të”, tregon ai per “PrizrenPress”


Zëdhënësi Sadria thotë se zyrtarët e Komunës, të cilët janë hetuar nga Policia e Kosovës, dyshohen se kanë keqpërdorë detyrën zyrtare.
Shtuar më 27/09/2014, ora 11:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori