Ish-presidenti i Barçës ndez polemikat: Do e kishin mbyllur kampionatin nëse Reali do ishte i pari

Joan Gaspart është njohur gjithmonë si një personazh shumë polemizues, sidomos sa u përket marrëdhënieve mes Barcelonës, ku ka qenë president për vitet 2000-2003, dhe Real Madrid.

Ish-drejtuesi i katalanasve ka ndezur një tjetër polemikë me fjalët që ka lëshuar në një intervistë sot, duke aluduar për mbështetjen që vazhdon ndaj madrilenëve, siç akuzonte edhe në vitet kur drejtonte ai.

“Nëse Reali do të kishte qenë kryesues para ndalesës së kampionatit, La Liga tashmë do të ishte mbyllur”, tha ai, duke bërë të qartë mendimin e tij se nguti për të rifilluar medoemos kampionatin ihste për t’i dhënë një shans Realit për të luftuar përsëri për kreun. “Barcelonës i mungon respekti dhe anti-barcelonizmi shet”.

Ai pranoi se ëndërronte të shihte përsëri Nejmarin te Barcelona, si një lojtar i cili mund të ndihmonte katalanasit që të përforconin hegjemoninë e tyre- “Do të më pëlqente shumë. Ia fal të gjithë atë që ka bërë vetëm që të kthehet përsëri”, deklaroi Gaspart.


Shtuar 28.05.2020 21:13