Braktisi mjetin për t’iu shmang policisë, arrestohet 22-vjeçari në Malësi të Madhe, i gjenden dy armë zjarri

Gjatë operacionit policor të koduar “Kerraj” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 22 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, Shkodër.

Ky shtetas po lëvizte me armë zjarri në motoçikletë, në rrugën Gruemirë-Linaj. Pasi ka vënë re që po ndiqej nga shërbimet e Policisë, 22-vjeçari ka braktisur motomjetin dhe është fshehur në një zonë me bimësi, në fshatin Kerraj.

Pas kapjes dhe ndalimit të shtetasit A. Rr., shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit, në afërsi të vendit ku ai ishte fshehur, kanë gjetur një armë zjarri pistoletë, një armë zjarri automatik dhe disa fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me motomjetin.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Shkodër, për veprime të mëtejshme./albeu.com


Shtuar 14.06.2022 16:39