Solskjaer flet për Guardiolan: I mirë, por jo sa Ferguson

Ole Gunnar Solskjaer thotë se Pep Guardiola nuk është trajneri me më së shumti ndikim në histori të Premierligës – pasi që ky epitet i takon ish-trajnerit të Manchester Unitedit, Sir Alex Fergusonit.

Ish-sulmuesi i Anglisë, Gary Lineker, bëri bujë në Twitter gjatë fundjavës duke thënë se Pep Guardiola ka pasur më shumë ndikim në Premierligë sesa cilido trajner tjetër, duke e nxitur kështu një debat për meritat e disa trajnerëve të tjerë.

Përderisa Guardiola në të kaluarën e ka përmendur emrin e trajnerit të Leicesterit, Marcelo Bielsa, të cilin e kishte përshkruar si trajnerin më të mirë në botë – mirëpo Solskjaer është i bindur se dikush tjetër e meriton këtë epitet.

“Unë duhet të them se Guardiola e ka pasur një ndikim shumë, shumë të madh. Kjo është e dukshme. Që kur ai e mori drejtimin e Barcelonës, unë i kam adhuruar skuadrat e Pepit, por unë duhet të them se kam luajtur nën drejtimin e trajnerit me ndikimin më të madh në histori, Fergusonit”, ka thënë Solskjaer.

“Ne e shohim Guardiolën si njërin ndër trajnerët më të mirë në histori dhe mund ta shohim se nga e ka marrë ai këtë mençuri. Unë e kam pasur kënaqësinë të takohesha dhe të flisja me Johan Cruyffin dhe ju mund t’i shihni ngjashmëritë mes tyre”.

“Është një epokë e ndryshme tani. Kur erdhën pronarët e Manchester Cityt, ne e dinim se ata do të jepnin gjithçka nga vetja. Ne jemi ende, në mendjen tonë, ndër klubet më të mëdha në botë, por ne e dimë se do të na duhet edhe pak kohë”.

“Unë i adhuroj skuadrat e Pepit. Ata e kanë ngritur standardin për të gjithë, kjo është diçka që synoj ta bëj edhe unë”.

Pasi ishte punësuar për ta kthyer periudhën e lavdishme në Teatrin e Ëndrrave, Sir Alex Fergusoni kishte vazhduar duke arritur suksese të paimagjinueshme më parë në futbollin anglez me Manchester Unitedin.

Ai e udhëzoi Manchester Unitedin drejt 13 titujve të Premierligës dhe dy titujve të Ligës së Kampionëve, para se t’i jepte fund karrierës së tij si trajner duke u pensionuar në vitin 2013.


Shtuar 7.01.2020 12:48