Zgjedhjet serbe ngjallin reagime te politikanët serbë të Kosovës
Çështja e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe edhe në Kosovë, po vazhdon të ngjallë reagime edhe me tutje te politikanët serbë të Kosovës.

Ditë më parë, disa zyrtarë të Beogradit, kanë deklaruar se në rastin e shpalljes së zgjedhjeve lokale në Serbi, autoritetet serbe, sa i përket Kosovës, do të kenë parasysh edhe obligimet që dalin nga dokumentet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por, politikani serb nga veriu i Mitrovicës, Millan Ivanoviq, drejtues i të ashuruquajturit Këshill Kombëtar Serb, thotë se autoritetet serbe nuk duhet të lejojnë hapësirë që të krijohen dilemat nëse zgjedhjet lokale do të shpallen edhe për serbët që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht për ata në veri të vendit.

Sipas tij, edhe më parë, Serbia ka organizuar zgjedhje në Kosovë, duke u bazuar, sipas tij, në Rezolutën 12 44, por ai ka shfaqur drojën se Serbia do t’i nënshtrohet, siç i quan ai, presioneve nga jashtë, që zgjedhjet lokale të mos i shpallë edhe për Kosovën.

Politikani tjetër serb, Dragisha Kërstoviq, nga Leposaviqi, thotë se tashmë mediat serbe kanë ngritur, siç e quan ai, “pluhur”, lidhur me çështjen e shpalljes ose jo të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.

Sipas tij, disa zyrtarë të Beogradit kanë theksuar se rezoluta 1244 është ripërtërirë me marrëveshjen e fundit në Bruksel dhe se zgjedhjet lokale do të organizohen edhe në Kosovë, në mënyrë që të respektohet kushtetuta serbe. Por, Kërstoviq nuk beson se kjo do të ndodhë.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkoviq, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe.

Megjithatë, ajo thotë se është pikëpyetje se kush dhe çfarë do t’i zëvendësojë institucionet serbe në veri të Kosovës, deri në zgjedhjet lokale të cilat i organizojnë institucionet e Kosovës.

Ndryshe, Millan Ivanoviq, vlerëson se nëse Serbia nuk do t’i shpallë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë, kjo, sipas tij, do të nënkuptonte se ajo e pranon pavarësinë e këtij vendi.

Por, Dragisha Kërstoviq, shpreh mendimin se do të gjendet një zgjidhje e përkohshme me faktorin ndërkombëtar dhe se në mungesë të zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të instalohen institucione ose këshilla të përkohshëm.

Ndërkohë, sipas tij, Prishtina zyrtare, në mënyrë të heshtur do ta pranonte një marrëveshje të tillë.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, thekson se duhet gjetur një qasje të barabartë ndaj serbëve në gjithë territorin e Kosovës.

Sidoqoftë, ende nuk dihet se cili do të jetë vendimi i autoriteteve serbe lidhur me shpalljen e zgjedhjeve lokale, por, ato kanë deklaruar se për shpalljen ose jo të këtyre zgjedhjeve edhe në Kosovë, do të sillet një vendim politik nga vet autoritetet serbe.
Shtuar më 28/02/2012, ora 13:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori