Ekspertët e procesit zgjedhor Blerim
Burjani dhe Leon
Malazogu, thonë se rezultati i zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit nuk pritet të jetë befasues.
Burjani ka thënë për “Epokën e re” se zgjedhjet lokale nuk do të kenë ndryshime të mëdha në skenën
politike në komunat e Kosovës.
Sipas tij, edhe në këto
zgjedhje, gara kryesore do të zhvillohet në mes të PDK-së dhe LDK-së.
“Pres disa lëvizje të aktorëve politikë në këto
zgjedhje, por jo shumë të mëdha. Do të ketë dy ose tri befasi të mëdha. Sipas mendimit tim, gara kryesore në këto
zgjedhje do të zhvillohet në mes të PDK-së dhe LDK-së. Mendoj se disa komuna që janë qeverisur nga partitë më të vogla do të ketë ndryshime për shkak të pakënaqësive. Në Komunën e Therandës mund të ketë ndryshime. Garë shumë interesante në mes të PDK-së dhe LDK-së do të zhvillohet në Prizren dhe Gjilan. Edhe në Pejë do të jetë një garë shumë interesante, duke përfshirë edhe komunën e Kastriotit dhe Fushë-Kosovës”, ka thënë
Burjani.
Ai ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje! nuk do të mund ta fitojë asnjë komunë në këto
zgjedhje.
Duke folur për ecurinë e fushatës elektorale,
Burjani ka thënë se partitë
politike në këto
zgjedhje janë fokusuar më shumë në projektet për zhvillimin ekonomik të komunave.
Ndërkaq njohësi tjetër i proceseve zgjedhore, Leon
Malazogu, ka deklaruar se në këto
zgjedhje mund të ketë ngushtim të rezultatit mes pozitës dhe opozitës në çdo komunë.
Malazogu është shprehur i shqetësuar për premtimet milionëshe që janë duke bërë disa parti
politike. “Këto shuma partitë janë duke i premtuar se do t’i investojnë nga xhepi i tyre. Për mua një fushatë e tillë është manipulim me qytetarin e varfër të Kosovës. Ky fenomen kryesisht është duke u vërejtur tek AKR-ja. Një veprim i tillë paraqet shkelje drastike të kodit të etikës”, ka deklaruar
Malazogu, duke vlerësuar se në këto
zgjedhje partitë
politike kanë paraqitur programe më të detajuara. /albeu.com/
Shtuar më 28/10/2013,
ora 15:29