Zgjedhjet në veri të Kosovës, deri në orën 16 votuan 35 për qind e qytetarëve
Sipas koalicionit të organizatave Demokracia në Veprim, e cila po monitoron zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, deri në orën 16:00, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 35 për qind e qytetarëve.

"Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’, po vazhdon vëzhgimin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, 19 maj 2019. Procesi i votimit po vazhdon të zhvillohet i qetë. Deri në orën 16:00, sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, për të votuar kanë dalë rreth 35% e të gjithë votuesve me të drejtë vote", thuhet në njoftimin për media.

Sipas komunave veç e veç, dalja e votuesve në zgjedhje, sipas DnV-së është Zubin Potok (39%), Zveçan (38%), Leposaviq (34%) dhe Mitrovicë e Veriut (33%).

Sipas koalicionit, parregullsitë më të shpeshta që po e përcjellin procesin e votimit në terren deri në orën 16:00 janë: Votimi familjar i evidentuar në 23 vendvotime, në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet; Ankesa lidhur me Listën e Votuesve janë raportuar në 6 raste; Votimi jashtë kabinës, është vërejtur në pesë raste; Tentime për të votuar më shumë se një herë (votimi i dyfishtë), janë evidentuar në dy raste. /albeu.com/
Shtuar më 19/05/2019, ora 18:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori