Zgjedhjet në Kosovë, KQZ tregon numrin e votuesve
Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka bërë të ditur shifrat zyrtare se sa qytetarët do të marrin pjesë sot në zgjedhje në katër komunat veriore. Sipas këtij institucioni të drejtë vote kanë 57.983 qytetarë.

KQZ-ja ka njoftuar se do të mbajë pesë konferenca për media gjatë ditës së sotme për të dhënë detaje për procesin zgjedhor. Në orarin e përcjell nga KQZ-ja, konferenca e parë do të mbahet në orën 08:00 për të njoftuar për hapjen e qendrave të votimeve. Në ora 11:30, KQZ-ja do të njoftojë për numrin e votuesve deri në këtë kohë. Edhe në orën 15:30 konferenca për media ka për qëllim që të njoftojë për numrin e votuesve dhe zhvillimet e tjera.


Kurse në orën 19:30, KQZ do të njoftojë për pjesëmarrjen në votime deri në mbylljen e vendvotimeve. Për konferencën e pestë, kur do të bëhen publike rezultate preliminare, thuhet se mediat do të njoftohen me kohë.

Në Komunën e Leposaviqit garojnë tre kandidatë për kryetarë, dy nga parti shqiptare dhe një nga një parti serbe, sikurse edhe në Zubin Potok, Zveçan e në Mitrovicën e Veriut, raportojnë mediat kosovare.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, më 8 prill kishte shpallur datën e zgjedhje të jashtëzakonshme për 19 maj në katër komunat veriore të Kosovës pas dorëheqjeve (27 nëntor, 2018) nga katër kryetarët e atëhershëm të këtyre komunave si masë kundërshtuese ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.
Shtuar më 19/05/2019, ora 09:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori