Zgjedhjet më 6 tetor, mobilizohet KQZ-ja
Presidenti i Republikës sё Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë sot vendim për shpalljen e zgjedhjeve tё parakohshme për Kuvendin e Republikës sё Kosovës dhe ka caktuar ditën e diel, 6 tetor 2019, datë për mbajtjen e zgjedhjeve.

Në vendimin e nënshkruar thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, presidenti Thaçi ka marrë vendim që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 06 tetor 2019.

Me këtë rast presidenti ka udhëzuar Komisionin Qendrorë Zgjedhorë që të t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Lidhur me këtë në një përgjigje me shkrim për lajmi.net, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se ky organ gjatë ditës së nesërme do të mbajë mbledhjen ku edhe do të bëhet miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës së nesërme do të mbajë mbledhje. Në rend të ditës së mbledhjes së KQZ-së do të jenë disa vendime: shkurtimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore duke i përshtatur me ditët në dispozicion të KQZ-së; miratimi i Planit Operacional; miratimi i buxhetit të planifikuar për këto zgjedhje”, ka thënë Elezi.

Gjithashtu, Elezi ka thënë se “në mënyrë që KQZ-ja të arrijë të përmbushë të gjitha detyrimet kushtetuese dhe ligjore do të marrë vendim për zgjatjen e orarit të punës për stafin”.

Kujtojmë se partitë si PDK, AAK, Nisma Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate nuk e kanë asnjë anëtarë të emëruar në KQZ.

LDK e Vetëvendosje kanë të emëruar nga dy anëtarë, kurse minoritetet janë të përfaqësuar me katër anëtarë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe shpërndarjes së Kuvendit më 22 gusht.

Gjatë së hënës, presidenti Thaçi dekretoi edhe shpërndarjen e legjislaturës së VI të Kuvendit./Lajmi.net/
Shtuar më 26/08/2019, ora 20:28

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori