Zgjedhjet, afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve
Në Kosovë këtë të shtunë është dhe afati i fundit i partive politike për të dorëzuar listat e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë, për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mediat në Kosovë bëjnë me dije se deri më tani vetëm 10 subjekte politike me gjithsej 210 kandidatë, kryesisht nga radhët e komuniteteve, kanë dorëzuar në KQZ aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje si dhe listën me emrat e kandidatëve për deputetë.

Pas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ku konstatohet se personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në 3 vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet, KQZ-ja ka bërë të ditur se do t’i dërgojë listat me emrat e të gjithë kandidatëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.


Po kështu, listat me emrat e kandidatëve për deputetë do t’iu dërgohen edhe në 5 institucione tjera përveç KGjK-së, në Ministri të Punëve të Brendshme, në Ministri të Punëve të Jashtme, në Ministri të Mbrojtjes, në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi listat me emrat e kandidatëve për deputetë do t’iu dërgohen këtyre institucioneve më së largu deri më 18 janar, ndërsa do të presin përgjigje deri më 20 janar.

Ndërkohë pritet që me tre shkurt të nisë dhe fushata zgjedhore për subjektet politike.
Shtuar më 16/01/2021, ora 11:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori