Zëdhënsja e Mogherinit: Dialogun nuk e udhëheq Merkel por ne
Pas Samit të Berlinit që u mbajt me 29 prill, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar në Brukseli. Zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, ka thënë se dialog Prishtinë-Beograd, është vetëm ai që udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.

Ajo ka thënë se BE-ja është falënderuese për iniciativat e Gjermanisë për të lehtësuar procesin, por i vetmi institucion që ndërmjetëson dialogun është Bashkimi Evropian.

“Ne mirëpresim çfarëdo mbështetje për dialogun që udhëheq BE-ja, përfshirë edhe takimet e radhës. Secili takim është ndihmesë dhe mund të jetë një kontribut. Por dialogu është një proces që e ndërmjetëson BE-ja”, ka thënë Kocijancic e pyetur rreth mundësisë së ndryshimit të dialogut.

Ajo ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e BE-së, se për të rifilluar dialogun, Prishtina duhet të heq vendimin për taksën.

“Përfaqësuesja e lartë është e gatshme që të rifillojë dialogun, por është e qartë që Qeveria e Kosovës duhet të heq taksën, në mënyrë që të mundësohet një vazhdim i shpejtë i dialogut”, ka thënë ajo.

Ajo ka thënë se takimi në Berlin ka qenë një sinjal i rëndësishëm nga dy shtete anëtare të cilat kanë terguar gatishmëri bashke më të tjerët, për të mbështetur dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së.

“Federica Mogherini në Berlin ka pasur një sërë takimesh bilaterale me liderët e rajonit, me të cilët sinqerisht ka diskutuar mbi situatën në rajon, bashkëpunimin, dhe raportet e mira fqinjësore e pajtimin, mbi të cilat marrëveshja e Prespës është një shembull historik”, ka përfunduar ajo.
Shtuar më 30/04/2019, ora 18:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori