Zbulimi tronditës, 130 mijë euro u dhanë për të vrarë Tahir Zemajn
Sot janë bërë 16 vjet nga vrasja e kolonel Tahir Zemaj së bashku me djalin e tij, Enisin dhe kushëririn, Hasanin.

Ish-agjenti i SHIK-ut, dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se, për vrasjen e kolonelit Tahir Zemaj ishin dhënë 130 mijë euro.

Ndërsa, shton se, institucionet e shtetit nuk kanë punuar fare dhe nuk pasur guxim të merreshin me këtë vrasje.

“Vrasjet, nuk duhet me u përmend vetëm kur janë zgjedhjet, por duhet non stop me u ndjekë deri në zbardhjen e krimeve”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, disa grupe të armatosura udhëhiqeshin me duar të zgjatura të politikanëve dhe disa komandantëve të luftës, të cilët ishin pasuruar shumë pas luftës.

Sipas Miftarit, ky grup kryente vrasje të porositura, gjersa përmend edhe vrasjen e kolonelit Tahir Zemaj për të cilën, sipas tij ishin dhënë diku 130.000 euro.

“Sa i përket grupit që vrau policin në Llap ku u vra një polic i Ugandës dhe një polic i yni shqiptar të cilët e vranë nga plumbat e kallashnikovë 7,62mm në një prit nga një grup i armatosur diku 7-8 veta, por realisht ishin shumë e më shumë se aq afërsisht grupe total numëronin mbi 30-40 veta pa llogaritur mbështetësit, ndihmësit dhe logjistikën që qëndronte prapa këtyre grupeve. Kjo vrasje e policëve ishte kryer vetëm nga njëra pjesë e grupit i cili kishte shtrirë terrorin në tërë Kosovën. Grupi përbëhej nga disa ekipe që vepronin në koordinim, por edhe vepronin autonom kur ishte në pyetje vrasja me porosi me para të majme (shembull posedonim në këtë informacion të besueshëm vrasja e Tahir Zemajt, kishte kushtuar diku 130.000 euro) pra vrasjet, kidnapimet, haraçi, ju sillnin profite të mëdha. Ku si kryesorët ishin grupet nga Drenica, Llapi, Dukagjini dhe Mitrovicës, por një grup ekzistonte edhe në rrethinën e Kaçanikut që vepronin autonom në atë pjesë të rrafshit të Kosovës”, thotë ai.

Miftari shton se, në vitin 2004-2005 UNMIK por edhe policia e jonë shqiptarët kishin shumë të dhëna dhe fakte të mbledhura nga tereni kur dihet shumë mirë kush ishin këta njerëzit dhe kujt i shërbenin kohë pas kohe pasi dihet mirë se ju kanë shërbyer disa rrymave dhe individëve me peshë politike.

“Dhe zhdukja e provave kur u vodhën nga policia në objektin e sigurisë kinse të lartë pos drogës u vodhën shumë dosje dhe prova pikërisht për këto grupe fakte, incizime të bisedave telefonike (për shembull ishte përcjellë numri dhe bisedat e gruas së F-E i cili u arrestua pastaj në Shqipëri, pastaj A-S me tre persona tjerë si financoheshin nga personi me pseudonimin (BABUSHI) në atë kohë… e shumë e shumë gjëra tjera diheshin shumë mirë”, përfundon Miftari.

Tahir Zemaj, njëri ndër komandantët më të mirë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që tmerronte serbët në Betejën e Logjës, u vra në vitet e para të pasluftës, në Kosovën tashmë të çliruar.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë, kriminelët, i dolën në pritë dhe në mënyrë tinëzare i organizuan atentatin në hyrje të Pejës.

Ngjarja kishte ndodhur në afërsi të Kombinatit të Drurit, ndërsa vrasësit ishin larguar drejt Fabrikës së Birrës. I njohur edhe si njëri ndër dëshmitarët në gjyqin ndaj Grupit të Dukagjinit, koloneli Zemaj kishte arritur t’u shpëtonte edhe dy atentateve të tjera të drejtuara ndaj tij.
Shtuar më 04/01/2019, ora 13:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori