Zbatoni porositë Ukshin Hotit!
Depueti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë se duhet të merren parasysh porositë dhe vlersimet e atdhetarëve dhe intelektualëve të viteve të mëparshme për të ardhmën e vendit. Ai në shkrimin e tij i referohet atdhetarit, politikanit, intelektualit të shquar shqiptar Ukshim Vokshit.

"Sot është 16 maji. Pikërisht këtu e 14 vite më parë, shokët e tij të burgut ishin ata që për herë të fundit e panë atdhetarin, intelektualin dhe politikanin e shquar shqiptar, Ukshin Hoti. Ai u mor nga policët serbë dhe prej atëherë nuk është gjetur.

Por, sot, kur forcat politike në Kosovë po garojnë se cila betejë e UÇK-së cilit subjekt politik i takon më shumë, ne kemi nevojë më shumë se kurrë t’i kujtojmë disa porosi të vlefshme politikeUkshin Hotit.

Te Filozofia Politike e Çështjes Shqiptare ai shkruan: ‘pushteti politik nuk mund të jetë në funksion të vetes (përveç kur deformohet në tërësi)’. Kurse sot në Kosovë ka ndodhur pikërisht kjo për të cilën shqetësohej Ukshin Hot, pushteti politik që më së shumti i shërben vetvetes.

Ukshin Hoti thotë se Liria kuptimin e vet esencial e ka në funksion të zhvillimit të bashkësisë. Këtu te ne liria është degraduar në mundësi përfitimi dhe pasurimi për një pakicë politike e cila e ka monopolizuar pushtetin.

Ukshin Hoti thoshte se në vitet e kthesave ’68, ’81, ’89 e ’90, ’98 e ’99, populli shqiptar me aspiratat dhe ndershmërinë e vet ka qenë më lart sesa politika zyrtare. Kjo ligjshmëri të cilën e ka formuluar Ukshin Hoti fatkeqësisht është e vërtetë edhe sot. Ky është mallkimi i kombit shqiptar pra, që mesatarja e kombit është më e lartë sesa mesatarja e ambicies dhe etikës së politikës zyrtare.

Ukshin Hoti shkruan: "Çdo analizë, nga çfarëdo aspekti, në instancën e fundit, nuk mund të mos e reduktojë çështjen shqiptare në nevojën për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet të vetëm shqiptar." Kurse pushteti në Kosovë i qet probleme të vazhdueshme këtij qëllimi.

Ukshin Hoti e ka një porosi edhe për ata që nuk e kanë krejt të qartë raportin mes interesave ndërkombëtare dhe atyre kombëtare. Ai për bashkësinë ndërkombëtare shkruan: "Ajo në zgjidhjen e këtyre çështjeve rëndom i ndjek interesat vetjake, ndërsa interesat e palëve të interesuara i merr parasysh vetëm në masën në të cilën ato palë janë të zonjat vetë që t'i mbrojnë e t'i sigurojnë." Kjo do të thotë që pushteti ynë i mashtron qytetarët kur paaftësinë e qeveritarëve e maskon kinse me interesat e faktorit ndërkombëtar.

Edhe një porosi shumë e vlefshme e Ukshin Hotit për politikën e jashtme të BE-së dhe EULEX-in.
Ai shkruan: ‘Kosova nuk mund të arrijë në Evropë pa një demokraci autentike, të vetëlindur prej saj.’ Me fjalë të tjera, demokracia e imponuar nuk është demokraci.

Dhe për fund një porosi shumë e rëndësishme e profesor Hotit për logjikën referenciale të politikave zyrtare shqiptare. Ai thotë: politika shqiptare matet me te djeshmen. Kurse ne duhet të matemi me të tjerët dhe me të duhurën.

Kur doni t’i nderoni dëshmorët, është e lehtë, punoni sipas idealit të tyre, për të cilin e dhanë jetën. Kur doni ta nderoni Ukshin Hotin, nuk keni nevojë t’i thurni lavde shterpë. Më mirë aplikoni porositë e tij politike sesa të derdhni lot krokodili për të, e në anën tjetër të veproni plotësisht kundër mësimit të tij kaq të çmueshëm politik"- shkruan Konjufca. /albeu.com/
Shtuar më 16/05/2013, ora 12:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori