Zbardhet vrasja brenda Shërbimit Sekret në Kosovë
Në bufenë ku punonte si kryekuzhinier në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, ditën e 4 shtatorit, Isa Sejdiu kishte filluar punën sikurse çdo ditë tjetër.

Një ditë para vrasjes, ai u kishte thënë kolegëve të tij se së shpejti do të emërohej në pozitën e zëvendës drejtorit të AKI-së.

Kjo deklaratë me sa duket i ka shkaktuar nervozizëm dyshuarit kryesor për vrasjen e Sejdiut, Valon Ibërdemajt.

Ibërdemaj që në AKI punonte si sigurim, atë ditë kishte marrë pistoletën me vete e ishte nisur për në bufenë e Agjencisë.

Nga tre metra largësi, ai qëlloi për vdekje kolegun e tij, Isa Sejdiu me dy plumba, e tashmë për këtë rast prokuroria ka ngritur edhe aktakuzë kundër tij.

T7 ka siguruar një dokument, ku janë edhe rrëfimet e dëshmitarëve për ditën kritike. Sipas njërit nga dëshmitarët, para se ta vriste, Ibërdemaj kishte hyrë në bufe duke thirrur kryekuzhinierin e më pas e vrau atë.

'Valon Ibërdemja ka hy në restorant me armë në dorë në drejtim tonin dhe duke thirrur Iso, kolegu Isa Sejdiu ju ka përgjigjur "Urdhëno xhaxh" dhe pas këtyre fjalëve Valoni nga një distancë tri metra ka shtënë me armë në drejtim të viktimës pas dëgjimit të krismave kam filluar të ik nga dera e kuzhinës për të shkuar në drejtim të zyrave të punëtorëve të sigurimit për ti njoftuar për incidentin", ka thënë një nga dëshmitarët.

Pasi ndodhi ngjarja, Ibërdemaj tentoi të largohej nga vendi i krimi, e për të shpëtuar nga kapja nga organet e rendit, mori peng edhe një punëtore të AKI-së.

Asaj ia kishte vënë revolen në kokë, dhe e kishte dërguar deri te vetura që ndodhej në parkingun e Agjencisë së Inteligjencës.

Punëtorja e AKI-së, ka treguar para prokurorisë versionin e saj për rastin, duke thënë se njëherë kur ai e kapi për dore me revole kishte menduar që po e shpëtonte nga diçka që mund të ketë ndodhur brenda institucionit.

"Valon Ibërdemaj, i cili më ka kapur dorën e majtë dhe më ka thënë F hajde me mua, kam vazhduar të eci duke e ditur që Valoni ishte sigurim i objektit se po më mbron për shkak që ka ndodhur diçka në brendi të objektit, në të njëjtën kohë Valoni e mbante armën, pasi disa hapave iu ka drejtuar kolegëve dhe ju ka thënë që mos të afroheshin dhe ju ka drejtuar armën në kokë, e di që më ka thënë hajde me shku në kerr, ndërsa unë i thashë që nuk kam çelësa, Valoni më tha se unë i kam çelësat e kerrit tem dhe ti duhesh me më qit jashtë. Pasi jemi nisur më ka thënë vozitë shpejt", ka deklaruar ajo.

Tani pos vrasjes së rëndë Valon Ibërdemaj, akuzohet edhe për rrëmbim e armëmbajtje pa leje.

Prokurori Ilaz Beqiri që po merret me rastin ka deklaruar për T7 se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie.

"I vetmi që unë jam bindur ka qenë motivi i xhelozisë, një ditë më parë i ndjeri ka bërë shaka me zyrtar të agjencionit i ka thanë po bana i madh. Ato ditë ka pasë me u emru zv kreytari i AKI, duke aldu se pretendime për atë pozitë", ka deklaruar Beqiri.

Ndërkohë Valon Ibërdemaj, gjatë gjithë kohës është mbrojtur në heshtje, e ka kërkuar që të i bëhet edhe ekzaminimi psikiatrik.

Në Prokurori ndërkohë mohojnë që rasti të ketë pasur të bëjë me ndonjë çështje që ndërlidhen me veprimtarinë e AKI-së.

Shtuar më 26/03/2019, ora 20:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori