Zbardhet letra sekrete e Ministrisë së Jashtme kundër ambasadorëve (FOTO LAJM)

Drejtuesit e Shoqatës Sindikale të Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës (SHSASHJ) në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) i kanë dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Një letër e tillë i është dërguar Pacollit me arsyetimin se në Shërbimin Diplomatik të Kosovës janë më shumë se 50 për qind të ambasadorëve dhe shefat të misioneve të emëruar politik.

Lajmi.net merr vesh se organizator dhe përkrahës të iniciativës që kjo letër t’i dërgohet ministrit janë Ilir Dugolli, Bekim Sejdiu dhe Albert Prenkaj. Ky i fundit është drejtor i përgjithshëm në MPJ.

Megjithatë, burime të lajmit.net thonë se letra në fjalë i paraprinë dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të presidentit Hashim Thaçit, marrë parasysh se shefi i shtetit është ai që i dekreton ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike.

Në letrën që ka siguruar lajmi.net ndër tjerash thuhet se gjatë viteve të fundit numri i të emëruarve politikë në cilësinë e Shefave të Misioneve Diplomatike/Ambasadorëve është shtuar në mënyrë drastike, duke tejkaluar kufirin qartë të përcaktuar me ligj.

“Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe Ligjit për plotësimit dhe ndryshimin e Ligjit numër 03/L-044 për MPJ-në dhe Shërbimin Diplomatik, të emëruar politikë mund të përbëjnë më së shumti 50 për qind nga numri i përgjithshëm i ambasadorëve dhe shefave të misioneve”, thuhet në këtë dokument.

Tutje aty thuhet se duke qenë se në vitet e para pas themelimit të shërbimit të jashtëm ishte vlerësuar si e natyrshme nevoja për të emëruar politikë, të cilët do të mund të zinin deri gjysmën e pozitave të ambasadorëve, me kalimin e kohës, rekrutimin e diplomatëve të rinj dhe avancimin e tyrë në karrierë diplomatike, përqindja e të emëruarve politikë do të duhej të ishte zvogëluar.

“Nga 25 misione diplomatike, aktualisht 14 janë të drejtuara nga Shefa të Misioneve të emëruar politikë, 8 misione diplomatike drejtohen nga shefa misioni diplomatik të karriererës, ndërsa tri janë pozita vakante”, thuhet në dokument.

Ndër tjerash aty përmendet edhe sistemin i rotacionit të shefave të misioneve. “Sistemi i rotacionit të shefave të misioneve gjithashtu është jofunksional dhe i menaxhuar tërësosht mbi parimin ad hoc”.
Shtuar më 20/10/2017, ora 16:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori