Një thumb i hidhur nga Ronela Hajati për kolegët: 90% e këngëve të kësaj vere janë njëlloj

Përveç koncerteve të vazhdueshme në çdo skaj të Shqipërisë, por edhe jashtë saj, shumë artistë shfrytëzojnë verën si momentin më të përshtatshëm për të lançuar projektet e tyre të reja. Mjafton një kërkim i shpejtë në YouTube dhe do të vini re morinë e këngëve që janë publikuar, por jo të gjithë janë të impresionuar nga prurjet e këtij sezoni.

Por, për Ronela Hajatin, një nga këngëtaret më “cool” në vendin tonë, shumica e këngëve duken kopje të njëra-tjetrës.

“A e kam gabim nëse them që 90% e këngëve të kësaj vere janë njëlloj? Mu duk sot sikur një këngë ishte e gjatë nja 15 minuta kur në fakt ishin ndërruar nja 5 këngë”- u shpreh Ronela.

Ajo madje i ka shtuar dhe disa doza ironie duke thënë- “Mos kini frikë me ndërru dorë”.

Nuk e dimë nëse kjo deklaratë ishte thumb për ndokënd, apo thjesht një konstatim i këngëtares, por duhet ta pranojmë që vitet e fundit shumica e prodhimeve muzikore janë thuajse të ngjashme. Ashtu si çdo fushë tjetër, edhe arti ndodhet në udhëkryq dhe shpeshherë bastardohet në mënyrën më të shëmtuar të mundshme.