Një marrëveshje me Rusinë në këto momente do të ishte katastrofike për Ukrainën

Nga Victor Rud “Kyiv Post

Shtetet e Bashkuara nuk mund të fajësohen se nuk kanë bërë përpjekje. Për dekada me radhë pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA ka firmosur pakte, traktate dhe marrëveshje me armikun e saj kryesor të armatosur me armë bërthamore.

Ka mbajtur samite në nivelin më të lartë dhe ka organizuar takime të panumërta midis ministrave të jashtëm, zyrtarëve dhe stafit ushtarak. Disiplina të reja akademike u krijuan enkas dhe iu përkushtuan mirëkuptimit dhe aq sa ishte e mundur komunikimit me Rusinë. Dokumentet e atyre viteve tani janë shpërndarë në të gjithë peizazhin gjeopolitik, dhe kryesisht janë harruar. E vetmja herë kur dikush kujton një marrëveshje me Rusinë, është ajo që po shkatërrohet tani nga Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët e tij. Presidenti Vladimir Putin tha të martën se Rusia po pezullonte pjesëmarrjen e saj në traktatin e ri START me Shtetet e Bashkuara që kufizon arsenalin strategjik bërthamor të të dy palëve.

Por çfarë roli luajtën në fakt këto marrëveshje? Ata na sollën pikërisht tek ky moment i tmerrshëm ku lufta ka përfshirë të gjithë Ukrainën, ndërsa Rusia kërkon ta fshijë atë nga harta. Atëherë çfarë na duhet, një marrëveshje tjetër me të? Vërtet?  Ka një argument të arsyeshëm (që nuk shihet më sy të mirë në Uashington) se SHBA-ja është bërë një mjeshtre e vetë-frenimit.

Sipas këtij këndvështrimi, nga marrëveshjet e pafundme të çarmatimit midis SHBA-s dhe Rusisë, Amerika ishte pala e vetme që u frenua. SHBA-ja e rimori lidershipin e saj global dhe e humbi sërish. Pas shpërbërjes së BRSS u arritën akoma më shumë marrëveshje. Çfarë po mendonte SHBA-ja (ose Britania e Madhe), kur në vitin 1994 e nxiti Ukrainën të hiqte dorë nga arsenali i saj bërthamor në këmbim të “garancive të sigurisë” të Rusisë me Memorandumin e  Budapestit?

Ndjesa publike e ish-presidentit Bill Clinton më 4 prill të këtij viti ishte shumë e vonuar.

Megjithatë ne vazhdojmë të këmbëngulim se duhet të shkojmë drejt një marrëveshje të re me Rusinë. Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes deklaroi kohët e fundit: “Detyra jonë është të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën në fushën e betejës, në mënyrë që ukrainasit të jenë në pozicionin më të mirë në tryezën e negociatave”.

Por për të negociuar çfarë? Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është haptazi gjenocidale. Kisha Ortodokse Ruse shpërndau disa kartolina për trupat ruse ku ndër të tjera shkruhej: “Detyra juaj është ta fshini kombin ukrainas nga faqja e dheut!”.

Propagandistët e Kremlinit në televizionet kryesore të vendit, bëjnë deklarata të ngjashme rrëqethëse të qëllimit gjenocidal që ka në fakt kjo luftë. Ish-kryeministrja e Izraelit, Golda Meir (e lindur në Kiev), theksoi: “Ata thonë që ne duhet të vdesim. Dhe ne themi se duam të mbetemi gjallë. Unë nuk di që të ketë një kompromis midis jetës dhe vdekjes!”.

Le të jemi të qartë. Ashtu si në të shkuarën, regjimi aktual rus mund të ndalojë luftimet për një farë kohe. Por ai nuk do të braktisë ambiciet e veta perandorake. Prandaj, çështja nuk është paqja dhe lufta, por shpejtësia e zhdukjes së Ukrainës si një komb. Pastaj si do të zbatohej një marrëveshje e re?

Vendet që përbëjnë më shumë se gjysmën e ekonomisë së botës (PBB0-ja e Rusisë është e njëjtë me atë të Nju Jorkut), dhe me aleancën më të madhe ushtarake në histori, nuk e penguan pushtimin e Ukrainës nga Rusia në vitin 2014 dhe as aneksimin e Krimesë.

A mund të kishin bërë më shumë këtë herë G-7 dhe NATO?

Sigurisht që po. A do ta bëjnë? Kjo është një çështje tjetër. Dhe në rast se sot nuk kemi vullnet dhe interes për të ndihmuar në sigurimin e rimëkëmbjes së sigurisë dhe sovranitetit të Ukrainës, atëherë pse do ta kemi atë nesër, për Ukrainën apo ndonjë vend tjetër?

Këtu qëndron thelbi i problemit. “Biznesi i Amerikës është biznes”- deklaroi dikur presidenti Calvin Coolidge. ADN-ja e Amerikës synon të garantojë një mjedis tregtar që kërkon stabilitet dhe parashikueshmëri për të bërë të mundur biznesin si zakonisht.

Për këtë qëllim, frenimi dhe kompromisi janë strategjitë që sigurojnë nevojën e arritjes së marrëveshjeve. Ne i lavdërojmë ato si zgjidhjen dhe nuk i shohim si shkakun e një problemi. Ne jemi të prirur të merremi në mënyrë të ngjashme edhe me Rusinë.

Por Rusia i përket një galaktike tjetër. Besojeni të paktën një herë të vetme Putinin kur thotë: “Ne rusët kemi një kod tjetër moral gjenetik dhe kulturor”. Rusia beson se autoriteti duhet të jetë i shenjtë. Për të kompromisi është anatemë. Në vitin 1839, markezi De Custine, një aristokrat dhe shkrimtar francez, udhëtoi nëpër Rusi dhe ndër të tjera shkroi në ditarin e tij: “Për rusët edhe të bisedosh do të thotë të komplotosh, të mendosh do të thotë të revoltohesh. Këtu mendimi nuk është vetëm një krim, por edhe një fatkeqësi”.

Në perspektivë Rusia e Putinit është pak më ndryshe. Ajo e sheh çdo marrëveshje vetëm si një aperitiv. Kjo e fundit ekziston vetëm për të fshehur qëllimin e Moskës, ose për të nënkuptuar të kundërtën, ose për të blerë kohë. Elementi i vetëm i parashikueshmërisë është parashikueshmëria e shkeljes së saj.

Ukraina e mësoi këtë leksion në mënyrën më të hidhur që më 17 dhjetor 1917, kur Rusia deklaroi se “njeh, pa asnjë kufi apo kusht, dhe në të gjitha aspektet, të drejtat kombëtare dhe pavarësinë e Republikës së Ukrainës”.

Dhe pastaj e ripohoi këtë me nënshkrimin e Kartës së OKB-së, Marrëveshjes së Helsinkit, Memorandumin e Budapestit dhe një duzinë marrëveshjesh të tjera, të cilat sigurisht janë shkelur që të gjitha. E megjithatë SHBA-ja vazhdon të ngulmojë tek e njëjta strategji.

Pas dhënies së njohjes diplomatike të Bashkimit Sovjetik në vitin 1933 (pikërisht në kohën kur po e vriste urie Ukrainën për ta nënshtruar), Kremlini pranoi “të përmbahej nga çdo veprim i hapur ose i fshehtë që mund të dëmtojë në çfarëdo mënyre qetësinë, begatinë, rendin apo sigurinë e të gjithë ose të ndonjë pjese të Shteteve të Bashkuara, në veçanti çdo agjitacion ose propagandë”.

Po si funksionoi kjo marrëveshje? Dhe kështu me radhë u vazhdua me marrëveshjet e Jaltës deri në Luftën e Ftohtë, me “Frymën e Gjenevës”, “Frymën e Camp David”, “Fryma e Vjenës”, “Frymën e Helsinkit” etj. Gjithnjë falëse dhe shpresëplotë, SHBA-ja e mbrojti anëtarësimin e Rusisë post-sovjetike në Bankën Botërore, FMN, G7 dhe – në mënyrë katastrofike edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (duke anashkaluar procedurat e pranimit). Marrëveshjet ishin të kota. Rusia mbetet e paepur, agresive dhe e shfrenuar në sjelljen e saj. Atëherë le të bëjmë një marrëveshje të re më Moskën? Kurrë më. /albeu.com

Shënim:Victor Rud, ish-kryetar i Shoqatës së Avokatëve amerikano-ukrainas, dhe Kryetar i Komisionit për Punët e Jashtme.


Shtuar 27.04.2023 09:10