Xhemajli i “rrezikshëm” për EULEX-in
Muharrem Xhemajli është konsideruar shumë “i rrezikshëm” nga EULEX-i. Për këtë arsye rastin e hetimeve ndaj tij për keqpërdorime në zgjedhje ia ka marrë nga dora një prokurori kosovar të Prokurorisë Komunale në Prishtinë.


Prishtinë: Sipas burimeve, misioni i Bashkimit Evropian e ka futur këtë rast hetimesh në një listë me rastin “Medicus” e atë “Kleçka.
Kryeprokurori i Prokurorisë Komunale në Prishtinë, Haki Gecaj, ka thënë të martën se lënda kundër kryetarit të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka qenë duke u punuar nga prokurori Ilaz Beqiri, por ata e kanë marrë me arsyetimin se është i ndjeshëm.
“Ata (prokurorët e EULEX-it v.j.) kanë qenë në monitorim dhe kanë bërë një kërkesë tash së fundi për ta marrë lëndën. Kjo është edhe sipas dispozitave ligjore që në raste të caktuara kur mendojnë se mund të ketë ndonjë ndikim apo diçka mund ta marrin lëndën në çdo fazë”, ka thënë Gecaj, shkruan Koha Ditore.

Para pak ditësh një prokuror i EULEX-it ka ngritur aktakuzë kundër Muharrem Xhemajlit. Atë po e akuzon nën dyshimin e bazuar se ka votuar 150 herë në një qendër votimi të Drenasit në dhjetor të 2010-s. Për këto veprime Xhemajli, që përfaqëson veteranët e luftës së UÇK-së, rrezikon të dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Misioni i BE-së për sundim të ligjit ka thënë se prokurorët ndërkombëtarë po punojnë edhe në raste të tjera të keqpërdorimit në zgjedhje.
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e EULEX-it, Jaroslava Novotna, në marrëveshje me prokurorin e Shtetit, Ismet Kabashi, ka ngarkuar prokurorët e EULEX-it të ndihmojnë kolegët vendorë me raste të mashtrimit në zgjedhjeve.

Krasniqi ka thënë se prokurorët vendës nuk kanë refuzuar të merren me rastin kundër Xhemajlit. Ai ka shtuar se rasti fillimisht është iniciuar nga një prokuror vendës i cili, sipas tij, ka bërë një punë shumë të mirë.
Dy javë më parë prokurori Jari Auvinen që punon në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës ka ngritur aktakuzë. Kjo aktakuzë është e para e ngritur nga një prokuror i EULEX-it. Ajo e ngarkon Xhemajlin me dy akuza që kanë të bëjnë me zgjedhjet e zhvilluara në fshatin Krajkovë të Drenasit. Sipas aktakuzës, Xhemajli kishte hyrë në hapësirën e vendvotimit dhe në kutinë e votimit i ka futur rreth 150 fletëvotime.

I akuzuari për vjedhje votash, Muharrem Xhemajli e ka pranuar se tashmë ka marrë një kopje të aktakuzës, por këtë akt e ka cilësuar si vazhdimësi të EULEX-it për njollosjen e tij dhe të njerëzve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shtuar më 22/02/2012, ora 14:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori