Walker: Po thonë, ka një marrëveshje mes Thaçit dhe Vuçiqit
Diplomati amerikan, William Walker, ka komentuar lidhur me marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse me Serbinë duke thënë se nuk e beson se ky është momenti që një gjë e tillë të ndodhë, shkruan Albeu.com

“Shumë njerëz po thonë, Bashkimi Evropian, Ambasada Amerikane po thonë që duhet të kemi një marrëveshje finale me Serbinë, por nuk jam i sigurt nëse pajtohem me këtë… Gjërat mund të prishen tash, por negociatat duhet të vazhdojnë, është problem që duhet të zgjidhet me negociata… Nëse nuk funksionon gjatë javës së ardhshme do të vazhdojë sërish”, tha Walker

Ai ka thënë se ka dëgjuar që tashmë ka një marrëveshje mes dy presidentëve – atij kosovar Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk jam shumë i sigurt që e kuptoj situatën e tanishme, por më thonë se ka marrëveshje mes të dy presidentëve [Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq]. Më kanë thënë që e kanë një marrëveshje që Bashkësia Ndërkombëtarë është shumë e interesuar që ta shohë të ketë sukses”, tha ai.

“Nuk e di a i di të gjitha hollësitë se çka përfshin kjo marrëveshje por nuk jam i bindur se ky është fundi i procesit të negociatave. Nuk jam i bindur se marrëveshja mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit do të pranohet nga të gjithë këtu”.
“E shoh që ka shumë njerëz që kanë vërejtje sa i përket shkëmbimit të territoreve”, tha ai.

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë është shprehur shumë skeptik që dialogu me Serbinë ka ardhur në një pikë finale.

“Nuk mendoj se ka ardhur fundi i procesit, mund të jetë fillimi i fundit të këtij procesi por jo fundi”.

Walker ka thënë po ashtu se një marrëveshje me Serbinë do të dështojë nëse atë nuk e pranon populli i Kosovës.

“Për mua hisedarët janë kosovarët. Nuk jam i sigurt që BE-ja, Amerika, ose Rusia apo të gjithë ata lojtarë të jashtëm janë me të vërtetë 100 % të njëjtit hisedarë si populli i Kosovës”.

“Çfarëdo marrëveshje që nuk është plotësisht e kënaqshme atëherë mendoj se do të dështojë… Shpresoj se kjo marrëveshje të jetë diçka që populli i Kosovës me të vërtetë do të pajtohet”, përfundoi Walker. /albeu.com/
Shtuar më 19/02/2019, ora 18:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori