VV thirrje për 14 janar
Qendra e Studentëve “Studim, kritikë, veprim”, e Lëvizjes “Vetëvendosje” ka vlerësuar të hënën se vërtetë Kosova është në krizë, kur anashkalohen, përçmohen dhe refuzohen të zbatohen vendimet e Kuvendit, prandaj kërkuan që më 14 janar të “ndalet”, Qeveria e Kosovës që shkel vendimet e legjislativit, si dhe Serbia që nuk na njeh e na lufton, duke bllokuar pikat kufitare “Merdarë” e “Dheu i Bardhë”.
Hatixhe Hoxha, nga “Vetëvendosja” në konferencën për media tha se me mos zbatimin e vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të datës 7 dhjetor 2011, dhe veçmas, pas shpërfilljes së tij, nga ana e Qeverisë së Kosovës, Kosova është në krizë.

Qeveria e vendit, vazhdon të mos zbatojë vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për reciprocitetin politik, ekonomik dhe tregtar, me Serbinë. Shtet ky që nuk na njohu, dhe vazhdon të mos njoh Republikën e Kosovës. Shtet ky që na luftoi, dhe vazhdon të mbështes hapur, strukturat ilegale, në Kosovë”, tha ajo.

Vetëvendosje bëri thirrje që më 14 janar, të ndalen që të dyja: Qeveria e Kosovës dhe Serbia.

“Më 14 Janar, t’i themi hapur, Ndal! Qeverisë që shkel vendimet e Kuvendit të Republikës së Kosovës... Më 14 Janar, të jemi tok si dikur, studentë dhe pedagogë, të Universitetit të Prishtinës, Prizrenit, Tiranës, Tetovës, të mbrojmë Republikën. Në pikat Kufitare: Merdarë e Dheu i Bardhë, Serbia nuk kalon!”, shprehen anëtarë të Vetëvendosjes.

Edhe anëtari tjetër i “Vetëvendosjes”, Rron Gjinovci tha se Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet politik, ekonomik e tregtar me Serbinë, prandaj më 14 janar duhet të ndalen të dyja, edhe Serbia edhe Qeveria e vendit.

Ai tha se më 14 janar populli i Kosovës, të gjithë qytetarët e Republikës duhet të mobilizohen rreth kësaj kauze.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithë studentëve, profesorëve, akademikëve dhe të gjitha organizimeve studentore, që më 14 janar të bashkohemi në bllokimin e pikave kufitare ‘Merdarë’ e ‘Dheu i Bardhë’. Ne nuk heqim dorë nga Republika edhe nëse Qeveria tashmë e ka bërë. Më 14 janar, si studentë ne kemi para se gjithash obligim t’i vihemi në mbrojtje interesit të popullit tonë. Më 14 janar, për herë të parë pas shumë vitesh, ne nuk marrim mësim, por ne do t’i japim mësim këtij regjimi mbi republikën dhe demokracinë. Më 14 janar Serbia nuk kalon!”, tha Gjinovci.
Shtuar më 09/01/2012, ora 16:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori