17 ditë nga rrëmbimi dhe eliminimi makabër i Jan Prengës, ende asnjë gjurmë për trupin e tij

Sot 16 ditë nga pengmarrja, torturimi dhe zhdukja e trupit të 49 vjeccarit Jan Prenga dhe ende asnjë gjurmë.

Ndërkohë policia vijon kërkimet në rrethinat e Shijakut, deri në një distancë prej afro 4 kilometrash nga resorti luksoz “Golden”, në pronësi të të shumëkërkuarit Altin Hajri.

Policia beson se personat që zhdukën kufomën nuk kanë mundur të largohen më shumë sesa kjo distancë, nisur nga koha që u është nevojitur për t’u larguar e më pas rikthyer sërish në resort.

Ishin pikërisht pamjet filmike, që ndihmuan policinë të identifikonte personat e përfshirë në rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të 49-vjeçarit.

Për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës janë në kërkim edhe disa persona të tjerë, mes tyre edhe Gentian Doçi, për të cilin mësohet se rezulton i shpallur në kërkim dhe nga autoritet italiane për trafik kokaine.

Doçi i cilësuar si “truri” i kësaj pengmarrje, kërkohet në Itali për trafik droge dhe palës shqiptare i është kërkuar nga autoritet italiane, të bashkëpunojnë me qëllim arrestimin e këtij personi, që dyshohet se fshihet në Shqipëri.

Për policinë dhe prokurorinë e Tiranës, Gentian Doçi, dyshohet se është njëri nga tre personat që kanë urdhëruar marrjen peng të Jan Prengës, përfshirë këtu Dritan Rexhepin nga Vlora dhe Altin Hajrin nga Shijaku.

Për marrjen peng të Prengës është përdorur një automjet i vjedhur në 26 nëntor 2019, dhe që rezulton në emër të një këngëtareje tallavaje K.Tufa. Mes njerëzve që kanë thurur skenarin për rrëmbimin e Jan Prengës, ka qenë dhe një personazh tjetër i quajtur Korado Doda.

E gjithë ngjarja ka ndodhur për shkak se njëri nga vëllezërit e Jan Prengës, Astrit Prenga, mbante peng një sasi prej 283 kg lëndë narkotike, duke pretenduar se për lirimin e mallit, kërkonte pagesat e prapambetura nga një shtetas anglez, që e kishte kontraktuar disa herë për nxjerrjen e mallit nga kontejnerët e portit të Porthsmuthit.

Për lirimin e Jan Prengës, i cili ishte i vetmi nga 5 vëllezërit që jetonte në Shqipëri, mësohet të ketë udhëtuar nga Anglia në Shqipëri, vëllai tjetër i Prengave, Artan Prenga, i cili i vënë në dijeni nga dy vëllezërit e tij Astrit dhe Admir Prenga, se kush ishin njerëzit që organizuan pengmarrjen, besohet se ka shkuar në Dukagjin, ku me një pajtues gjaqesh, ka dashur të ndërmjetësojë me disa anëtarë të familjes Doçi, për lirimin e vëllait.

Sipas policisë disa nga të vjetrit e fisit Doçi, i kanë pohuar se nuk kanë asnjë informacion se ku ndodhet Gentian Doçi dhe çfarë mund të ketë bërë ai. Megjithëse vëllezërit Prenga besohet se kanë kthyer një pjesë kokaine prej gati 60 kg tek Dritan Rrexhepi, sërish vëllai i tyre nuk është liruar.


Shtuar 2.02.2020 09:25