VV: Rrëzimi i qeverisë në vend të bisedimeve me Serbinë
Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar sërish sot Rezolutën e propozuar nga PDK për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe fillimin e bisedimeve politike. Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se kjo rezolutë është propozuar në kohën kur kryeministri Thaçi, ka lëkundje brenda partisë së tij, e të koalicionit qeverisës. Ai tha se kjo rezolutë nuk përmban asnjë kusht për Serbinë.

” Deri para pak ditësh kusht ishte zbatimi i marrëveshjeve nga Serbia. Tash marrëveshjet po i mbesin vetëm Kosovës. Serbia nuk i zbaton. Kurse këta prapë detyrohen të shkojnë në një dialog me Serbinë pikërisht ashtu qysh po kërkon Serbia”, tha Konjufca.

Më tej VV ka kërkuar mocion mosbesimi, jo Rezolutë për normalizimin me Serbinë .


"Ne ju bëjmë thirrje të gjitha subjekteve opozitare që tash është koha për një front opozitar të fuqishëm për me i dhënë fund mandatit të kësaj qeverie që pasurinë po na e han, territorin po na e tretë në marrëveshje me Serbinë. Tash kur koalicionit po i ikin njerëzit vazhdimisht, kur ata po mundohen që këto zbrazëtira t’i arnojnë prej kalimit të deputetëve përbrenda vetë koalicionit, tash është koha që opozita të bëhet bashkë. Sepse pozita është në brishtësinë e saj më të madhe të pushtetit dhe të fuqisë. Tash është koha që të gjitha subjektet opozitare të bëhen bashkë dhe t’i japin fund kësaj qeverie", perfundoi Konjufca. /albeu.com/
Shtuar më 16/10/2012, ora 16:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori