VV prezanton alternativën qeverisëse për Prishtinën
Lëvizja Vetëvendosje prezantoi të shtunën para qytetarëve të Prishtinës alternativën qeverisëse për Prishtinën.
I pari që mori fjalën ishte anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Elvis Hoxha. Para të pranishmëve ai tha se tanimë nuk kemi rast për të humbur, aq më pak kur kemi Alternativë Qeverisëse, e cila e ka detajizuar interesin e këtij vendi jo vetëm në çdo cep të Kosovës, por në çdo cep të shpirtit njerëzor, të aftësive njerëzore të këtij vendi.


“Kthesa që bën VETËVENDOSJE! me Alternativën, e kthen Kryetarin e Komunës në përfaqësues të Komunës, jo përfaqësues të pushtetit të dhunës. E bën të parin gardian të interesave të Komunës”, tha Hoxha, duke shtuar se kjo Alternativë nuk e bënë të shitshme Kosovën, por e bën të banueshme për të gjithë qytetarët e saj.

Më pas fjalën e mori kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili tha se mirëqenia për klasën e mesme është arsim, shëndetësi, punësim, sigurim dhe kulturë, mirëpo, mirëqenia për të varfrit para së gjithash është ushqim, veshmbathje, ngrohje, higjienë dhe strehim.


“Lëvizja Vetëvendosje me Alternativën Qeverisëse, tashmë të përktheyr edhe në Alternativë Qeverisëse për Prishtinën, do të tregojë ndershmëri të lartë dhe angazhim të pakursyer për të dyja këto kategori”, u shpreh Kurti.
Pasi foli për problemet e shumta me të cilat përballen qytetarët e Kosovës, e me theks të veçantë ata të Prishtinës, Kurti tha se ndryshimet që i bëjmë ne, janë rrënjësore. “Shpend Ahmeti nuk është në këtë garë që ta marrë stafetën prej Isa Mustafës, ashtu qysh edhe Isa Mustafa edhe Ramush Haradinaj po duan ta marrin stafetën prej Hashim Thaçit. Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe Shpend Ahmeti nuk konsiderojnë që “u krye puna” kur ne hipim në pushtet, sepse ne pushtetin e shohim si shërbim, pra si zbritja më e afërt e mundshme dhe e aftë tek qytetarët. Pikërisht kur vijmë ne në pushtet, nis puna. Të tjerët kur fitojnë, humb populli dhe mbaron puna. Kur fitojmë ne, fiton populli, dhe nis puna”, theksoi Kurti.

Ndërkohë që kandidati për Kryetar të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti duke folur për secilën nga pikat e kësaj alternative u shpreh se VV do të angazhohet për Prishtinën ku uji është e drejtë, e jo privilegj.

“Në vendimmarrjen politike, banorit i sigurohet pjesëmarrja e barazia në të mirat publike. Komunën a takon të gjithë neve bashkë. Mënyra se si e kanë bërë Komunën, na tregon se si e duan shoqërinë. Çfarë komunë përfytyrojmë, tregon se çfarë shoqërie duam të jemi. Së bashku do ta ndryshojmë Komunën, sepse duam ta ndryshojmë veten, do ta përmirësojmë Komunën, sepse duam ta përmirësojmë jetën”, tha në fund Ahmeti.


Shtuar më 26/10/2013, ora 18:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori