VV: Përplasje bandash për zgjedhjen e kryeprokurorit
Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për medie thekson se me vëmendje po i përcjell zhvillimet e fundit për zgjedhjen e kryeprokurorit të Shtetit. Këto zhvillime janë pjesë e tërësisë për atë që quajmë përleshje të bandave institucionale për kapjen e shtetit.

Klanet që tashmë haptazi veprojnë në Këshillin Prokurorial të Kosovës kanë thënë akuza dhe kundërakuza për njëri-tjetrin në kundërshtim të plotë me seriozitetin dhe profesionalizmin që duhet të gëzonte ky organ, marrë parasysh që pikërisht nga ky Këshill priten betejat kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe zbardhjes së veprave të tjera penale, shkruan "koha.net".

Prej vitit 2014 kohë kur Gjykata Kushtetuese e hodhi poshtë jashtë kompetencave të saj, procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit duke marrë rolin e gjykatave të rregullta u pa qartë se ky nuk qe më një proces sipas kërkesave ligjore dhe rregullave të brendshme të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ky proces ishte shndërruar në një konkurrim brenda bandave dhe grupeve që e kanë kapur sistemin prokurorial të Kosovës. Madje këtë e shprehën edhe disa nga anëtarët e Këshillit gjatë përplasjeve për kapjen e re të Prokurorisë së Shtetit.

Mbetet ende për t'u kuptuar se pse janë tërhequr në të njëjtën kohë pesë kandidatët nga gara për Kryeprokuror. Tërheqja e tyre plotësisht e pazakontë është bërë praktikisht në të njëjtën orë dhe ditë fakt i cili lë hapësirë për dyshimin se qëllimi ka qenë zvarritja e zgjedhjes së Kryeprokurorit. Po kaq shqetësues mbetet fakti se për kandidatin e vetëm të mbetur në procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit përflitej para votimit në mes anëtarëve të Këshillit si i përzgjedhuri nga "ndërkombëtarët". /albeu.com
Shtuar më 03/03/2015, ora 14:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori