Varhelyi jep lajmin e mirë: Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çështje ditësh

Nga Erisa Zykaj

Gjatë konferencës për shtyp lidhur me rekomandimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe zgjerimit , Oliver Varhelyi ka bërë të qartë edhe qëndrimin ndaj ngërçit aktual midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për çështje historike,tê identitetit dhe të gjuhës, që mban peng aprovimin e kuadrit negociues për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillit e ministrave të Bashkimit Europian.

Miratimi i këtyre dy kuadreve do të bënte të mundur fiksimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me të dyja vendet, që shënon hapjen zyrtare të procesit të negociatave të anëtarêsimit të dy vendeve nê Bashkimin Europian.

Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerimin
“Nuk jam në dijeni të asnjë kuadri negociues. Ne kemi dijeni vetëm për një ngërç total (bllokim total) në Sofje. Nuk jam i kënaqur me këtë, pasi unë kam shpenzuar çdo të martë të dytë të muajve për të shkuar në Bullgari të mësoja nëse kishte një rrugë zhbllokimi. Duket se politikat e brendshme janë të afta për të testuar besueshmërinë e Bashkimit Europian. Pra, aktualisht nuk besoj, se mund të flasim për asnjë kuadër negocues”.

Por Varhelyi, nuk i shoi shpresat për një lajm të mirë javën e ardhshme.

Oliver Varhelyi, komisioner për zgjerimin

“Sigurisht që ne shpresojmë, që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të kenë konferencën e tyre të parë ndërqeveritare në momentin që flasim dhe që ne nuk do të na duhet të presim më për arsye të brendshme politike në Bullkari. Dhe mbetem me shumë shpresë, që ne po flasim për çështje ditësh, sesa çështje muajsh, apo vitesh”

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel ka përçuar një mesazh pozitiv, se mund të ketë lajme pozitive për Ballkanin Perëndimor gjatë samitit BE-Ballkan në nivelin e liderëve që do mbahet në 23 dhe 24 qershor në Bruksel.