VV-ja takon banorët e Likovcit
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, me aktivitetet e saj është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale komunale. Në këto zgjedhje kjo Qendër kandidon për kryetar Komune si dhe me kandidatët për Kuvendin Komunal.

Gjithashtu, kjo Qendër është duke organizuar edhe takime nëpër fshatra. Qëllimi i këtyre takimeve është krijimi i Shtabeve Zgjedhore në secilin fshat dhe deri më tani janë formuar mbi njëzet shtabe të tilla. Krahas formimit të shtabeve, aktivitetet tjera janë edhe formimi i Pikave në fshatra, si dhe anëtarësimi i anëtarëve të rinj në këtë subjekt politik.

Dje, më 1shtator Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj ka mbajtur një tubim me banorët e fshatit Likofc. Në këtë takim ishte i pranishëm Rexhep Selimi, deputet në Kuvendin e Kosovës.

Tubimi është organizuar në oborrin e shkollës së fshatit, tani monument historik për këtë vend. Në tubim qytetarët u njoftuan me kandidatin për kryetare të Komunës Ajnishahe Halimin, si dhe me organizimet e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Skenderaj. Me këtë rast u zgjodh shtabi zgjedhor prej pesë vetash, si dhe u diskutuan për mënyrën e organizimit për mbrojtjen e votës në ditën e votimit.

Ky është një nga qëllimet tona, duke marrë parasysh në të kaluarën se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Kjo klasë politike që është në pushtet, në zgjedhjet e kaluara ka bërë manipulime të ndryshme me disa individë të partive, për të siguruar vota. Ne si subjekt politik një gjë të tillë as nuk do ta pranojmë e as nuk do ta lejojmë që të ndodhë. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2013, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori