E FUNDIT/ Makina përplas 10 vjeçarin në Vlorë
Vushtrria shënoi Ditën e Dëshmorëve
Ndonëse në ditë pushimi, me aktivitete të shumta qyteti i Vushtrrisë të dielën ka shënuar Ditën e Dëshmorëve. Familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë, qytetarë e përfaqësues institucional e politikë, fillimisht kanë bërë homazhe tek Memoriali i Dëshmorëve dhe i të rënëve në qytet, e pastaj në Varrezat e dëshmorëve në Bletaj dhe në Kompleksin memorial në Prekaz.

Ndërkaq, akademia kushtuar dëshmorëve të kombit është mbajtur në Qendrën e Kulturës “Hasan Prishtina”. Në nderim të veprës së dëshmorëve në këtë manifestim mori pjesë edhe Rifat Jashari, përfaqësues i familjes emblemë të Kosovës, familjes së komandantit Adem Jashari, si dhe Rrahman Rama zëvendëskomandant i FSK-së.

Familjeve të dëshmorëve, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Habib Mustafa, u ka thënë se sakrifica sublime e bijve të tyre hapi një faqe të re të historisë në lirinë e shqiptarëve por edhe në hartën politike të Evropës. ”Falë sakrificës dhe gjakut të bijve tuaj, Kosova hapi një faqe të re të historisë, duke e ndërruar hartën politike të Evropës. Ajo la pas kujtimet e hidhura përplot vuajtje e sakrificë, duke hyrë në epokën e pavarësisë, të paqes dhe përparimit të vendit”, ka thënë Mustafa, raporton "Veriu.info"

Xhafer Istrefi, në emër të Shoqatës së familjeve të dëshmorëve në Vushtrri, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet që ende të punojnë shumë në arritjen e idealeve për të cilin ranë dëshmorët.

Në luftën e fundit kundër pushtuesit serb në Vushtrri ranë 71 dëshmorë. 1 shtatori “Dita e Dëshmorëve në Vushtrri”, shënon edhe ditën e rivarrimit të Dëshmorëve në varrezat e dëshmorëve në fshatin Bletaj të Vushtrrisë që është bërë me 1 shtator 1999. /albeu.com/
Shtuar më 01/09/2013, ora 16:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori