Vuçiçi merr në mbrojtje të dyshuarin për vrasjen e Ivanoviçit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se shteti serb dhe policia mund të thonë me siguri se Millan Radoiçiq, nënkryertar i Listës Serbe, nuk e ka vrarë politikanin serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Vuçiç tha për Radio-Televizionin e Serbisë se Radoiçiq "nuk ka marrë pjesë në organizimin, logjistikën apo nxitjen" e vrasjes së Ivanoviçit.

Ai tha se Radoiçiq është intervistuar nga prokurorët në Beograd dhe se është vërtetuar se ai nuk ka marrë pjesë në vrasje.

Vuçiq tha se Prishtina ka dashur ta vrasë Radoiçiqin gjatë përpjekjeve për ta arrestuar atë, pak ditë më parë.

Policia e Kosovës ka arrestuar javën e kaluar në veri të Mitrovicës tre persona të dyshuar në lidhje me vrasjen e Ivanoviqit, të cilëve më pas u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokurori special i Kosovës, Sylë Hoxha, ka konfirmuar se autoritetet në Kosovë janë në kërkim edhe të Radoiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, subjekt politik në Kuvendin e Kosovës.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar, 2018, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia.


Shtuar më 27/11/2018, ora 09:09
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori