Rivali i Zelenskit, Petro Poroshenko: Këto janë 4 rrugët për të mundur Putinin

Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, ka treguar 4 strategji se si mund të rrëzohet presidenti rus Vladimir Putin.

Poroshenko i ka bërë thirrje Perëndimit, që të mbyllë eksportet jetike për Rusinë.

Në një intervistë ekskluzive nga Kievi për Newsweek, Poroshenko – një kandidat i mundshëm për t’u rizgjedhur president në zgjedhjet e vitit 2024 – bëri thirrje për një “koalicion anti-Putin” që mund të izolojë Rusinë.

“Të gjitha kombet e botës duhet të kuptojnë se janë anëtarë të koalicionit anti-Putin”, tha Poroshenko. “Putini duhet të izolohet plotësisht duke ju bashkuar listës së kombeve dhe demokracive të mëdha si Koreja e Veriut, Irani, Siria dhe Bjellorusia”, u shpreh ai.

Ja se si Poroshenko sugjeron se Rusia mund të mposhtet nga Ukraina:

1 – Bllokada e madhe

Embargo funksionon shumë më mirë se sanksionet, sipas Poroshenkos.

Bllokada ruse e porteve ukrainase në Detit të Zi ka provuar të jetë tejet ‘ndëshkuese’. Këtë javë, gruri më në fund filloi të largohej nga qyteti port i Odesës për t’u transportuar përtej detit, për herë të parë pas disa muajsh – si pasojë e një marrëveshjeje të re të sponsorizuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia.

Por eksportet janë të ngadalta dhe siguria e tyre nuk është aspak e garantuar, siç dëshmohet nga sulmi rus në portin e Odesës vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes muajin e kaluar.

“Kombet e Bashkuara kanë thënë se 50 deri në 100 milionë njerëz janë në rrezik të urisë së plotë për shkak të bllokadës ruse”, tha Poroshenko duke u bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të Ukrainës që të fillojnë bllokadën e tyre të porteve ruse.

“Nëse Rusia bllokon portet e Ukrainës, koalicioni global anti-Putin mund të ketë një argument ligjor për të bllokuar eksportet ruse”, tha ai.

Një veprim i tillë do të paraqiste një mori problemesh diplomatike, ligjore dhe logjistike. Por, ish-presidenti tha se: “Është e mundur, që një kombinim i sanksioneve dhe embargove të ishte padyshim rruga më e shkurtër drejt paqes, nëse do të shoqërohej me furnizim me armë dhe solidaritet ndërkombëtar”.

2 – Investimet e brendshme

GDP-ja e Ukrainës ka rënë më shumë se 30 për qind, inflacioni po shkon mbi 30 për qind, monedha kombëtare hryvnia është ulur 25 për qind kundrejt dollarit amerikan dhe shkalla e papunësisë është rreth 35 për qind.

Poroshenko, i njohur si “Mbreti i çokollatës” për shkak të pronësisë së tij të firmës së ëmbëlsirave Roshen në Ukrainë, tha se Kievi duhet të forcojë ekonominë kombëtare duke krijuar një “parajsë investimesh” me më pak kufizime dhe ndëshkime për bizneset dhe investitorët ukrainas.

“Nëse nuk mbrojmë ekonominë tonë, nëse nuk mbrojmë klimën tonë të investimeve, nëse nuk mbrojmë punësimin tonë, efekti negativ do të thellohet”, tha ai.

3 – Armët

Furnizimi i vazhdueshëm i armëve të avancuara, tha Poroshenko, është një element kyç për suksesin e Ukrainës.

Sistemeve të artilerisë me rreze të gjatë –përfshi HIMARS-at e prodhuar në SHBA – duhet t’i bashkohen avionë luftarakë F-16 dhe bateri të avancuara kundër ajrit, tha Poroshenko.

“Sa më shumë armë të kemi, aq më e shkurtër do të jetë distanca drejt paqes,” tha ai.

“Ne duhet sesbën ta përfundojmë luftën para fundit të vitit…Kjo është arsyeja pse ne nuk kemi një vit kohë për t’u furnizuar me F-16 dhe as dy vjet për t’u furnizuar me patriotë. Duhet të veprojmë tani.”

4 – Oferta e NATO-s

Zyrtarët e lartë në Moskë kanë përsëritur vazhdimisht qëllimet kryesore të luftës: largimi i qeverisë Zelensky, “çmilitarizimi” dhe “denazifikimi”.

“Rusia ka kërkuar që NATO të përjashtojë Ukrainën nga anëtarësimi i ardhshëm, por publikisht, aleanca ka mbetur e përkushtuar ndaj politikës së saj të dyerve të hapura. Kushtetuta e Ukrainës i ka të parashikuara angazhimet për anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian. Më shumë se 70 për qind e ukrainasve tani mbështesin anëtarësimin në aleancën transatlantike. Askush nuk mund të na ndalojë,” tha Poroshenko.

“I vetmi dokument që na duhet për të garantuar sigurinë tonë është neni i pestë i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut”, shtoi ai, duke iu referuar angazhimit të NATO-s për mbrojtjen kolektive.

“Ju lutemi, mos lejoni Rusinë të shantazhojë Perëndimin,” u bëri thirrje Poroshenko udhëheqësve të huaj. “Në përgjithësi, ju lutemi mos i besoni Putinit dhe mos kini frikë nga Putini. Këta janë dy faktorët kryesorë për të sjellë paqen dhe për të fituar luftën.”

Kujtojmë se Poroshenko negocioi drejtpërdrejt me Putinin për t’i dhënë fund luftimeve midis forcave ukrainase dhe ruse në rajonin lindor të Donbasit në vitin 2014./albeu.com/